Basha shtyn mbledhjen e njoftuar, priten vendime të tjera politike të opozitës

schedule19:16 - 17 Maj, 2020

schedule 19:16 - 17 Maj, 2020

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me aleatët sot pasdite do të ketë një takim tjetër, pasi mbledhja e njoftuar në orën 18:00 është shtyrë për shkak se ata ndodhen në protestë përpara ish-godinës së Teatrit Kombëtar.

Siç raporton gazetari Juxhin Mustafaraj për ABC News, Basha do të mbledh aleatët dhe ish-deputetët e PD ku në fokus të diskutimit do të jetë çështja e Teatrit Kombëtar dhe lëvizjet e tjera politike të opozitës, siç është ajo e reformës zgjedhore.

Çdo strukturë e forcave opozitare do të njoftohet për çdo protestë që do të ketë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, për tu mbështetur nga opozita.

Ky takim i Bashës vjen në një klime të tensionuar politike, ku sot ka pasur akuza të forta nga opozita kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Aksioni për shembjen e Teatrit Kombëtar ka nisur 04:30 të mëngjesit të sotëm, e cila pasoi me përplasje mes policisë dhe artistëve dhe aktivistëve.

Përplasjet kanë vijuar përgjatë gjithë ditës në sheshin pranë Teatrit në Bulevardin kryesor të Tiranës.

Basha ka paralajmëruar aksion opozitar, ndërsa Kryemadhi i ka bërë thirrje qytetarëve që të braktisin gjendjen e fatkeqësisë natyrore e ti bashkohen protestës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!