Lulzim Basha mori pjesë në punimet e Asamblesë së Partisë Popullore Europiane në Bruksel, ku ka paraqitur vizionin e opozitës për daljen nga kriza në Shqipëri. Në një intervistë për gazetaren e abcneës Erisa Zykaj, Basha tha se u ka kërkuar partnerëve të djathtë që të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, por me kushte.
Lulzim Basha: Është shumë më e vështirë se më përpara. Është fakti se Shqipëria nuk ka bërë progres në kushtet e vendosura. Madje në një nga kushtet më të forta të vendosura Shqipërisë, që është kushti i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, siç tregon raporti i OSBE/ODIHR nuk kemi patur as zgjedhje demokratike, kemi pasur një proces votimesh moniste. Pikërisht në këtë moment të vështirë është i rëndësishëm zëri dhe vizioni i opozitës për daljen nga kjo krizë.
Ndaj në asamblenë politike të PPE kam gjetur mundësinë për t’iu shpjeguar partive tona simotra se me gjithë gjendjen e vështirë, se me gjithë faktin që tashmë e pranon çdokush se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet e vëna për të hapur negociatat, lypset një vendim politik. Një vendim politik i cili t’i sinjalizojë popullit shqiptar se Europa në të vërtetë i mban dyert e hapura dhe do ta bëjë këtë për një vend që punon për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe nga ana tjetër për t’i dhënë një mesazh të qartë autoriteteve shqiptare se BE tashmë përmes procesit të negociatave do të ushtrojnë presion të shtuar mbi qeverinë, presion që për fat të keq nuk vjen dot nga asnjë institucion tjetër se të gjitha institucionet janë të kapura. Ky presion do të shërbejë për të kapërcyer krizën kushtetuese dhe institucionale të vendit.
Opozita nuk konteston vetëm plotësimin e pesë kritereve që duhet të përmbushte Shqipëria, por janë edhe disa vende anëtare siç është Gjermania, Franca, dhe Holanda janë tre vende që kontestojnë përmbushjen e kritereve për këto vende. Shkojmë drejt një vendimi që në rastin më të pozitiv mund të jetë “po, vetëm nëse”, me shumë kushte për Shqipërinë. Çfarë do të thotë ky vendim për qeverinë dhe opozitën shqiptare?
Lulzim Basha: Përderisa kemi qenë këtu prej vitesh si kryetar i opozitës, si ministër i Jashtëm kur negociuam me sukses aplikimin për statusin kandidat e dimë si funksionon BE. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim. Që nga hapja e negociatave e deri te procesi i anëtarësimit kalojnë vite të tëra si vendi sillet në raport me kriteret, shtetin e së drejtës. Disa vite mund të zgjasë edhe negociata. Hapja e negociatave nuk është gjë tjetër veçse një impuls për të vazhduar punën për përmbushjen e kritereve…
Një përqasje e tillë nëse do të realizohet nga BE veçse do të ndihmonte përpjekjen jo vetëm të opozitës por të gjithë shqiptarët për të rivendosur vendin në shinat e ligjit, të ndëshkimit të politikanëve të lidhur me krimin, por mbi të gjitha zgjedhje të lira dhe të ndershme që do të jenë i vetmi hap që mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ku gjendet.
BE i vendosi zgjedhjet e lira si kusht edhe vitin e kaluar. Siç e thashë jo vetëm që nuk u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme, por vendi nuk zhvilloi as zgjedhje demokratike. Shkoi drejt një procesi monist me një parti që vetë kandidonte, vetë numëronte duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjet, duke dhunuar institucionet kushtetuese, duke shpërfillur dekretet e Presidentit. Këto ishin votime që u zhvilluan pa asnjë bazë kushtetuese dhe juridike. Këtë thotë edhe raporti i OSBE/ODIHR.
Raporti i OSBE/ODIHR është përmbledhja më domethënëse e problematikës shqiptare. Aty tregohet qartë se vetëm pasi opozitës iu mohua çdo rrugëdalje institucionale siç ishte propozimi për të ndarë politikën nga krimi, me ligjin për vettingun e politikanëve, vetëm aty u detyruam të marrim hapat që morëm për të shpëtuar demokracinë, për interesin publik, jo për pushtetin tonë. Nuk pres të ketë ndonjë ndryshim të kushteve të vendosura tashmë nga BE, por vetëm forcim të tyre.
Në Bruksel ka një vetëdijësim për krizën e thellë në Shqipëri. Njohuria e madhe për kët i takon opozitës që ka bërë betejat e duhura për këtë, për Shqipërinë, për shqiptarët. Mënyra si po zhvillohen ngjarjet në vend, Shqipëria po i largohet Europës. Prandaj është edhe më e rëndësishme që PD dhe opozita të qëndrojnë fuqishëm për integrimin evropian dhe kërkojnë që procesi i hapjes së negociatave t’i shërbejë fitores së kësaj kauze.
Kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si themel i demokracisë, i llogaridhënies para qytetarëve dhe një shoqërie të drejtë dhe të barabartë para ligjit. Këto janë themelet e Europës dhe duke patur me vete, në këtë kauzë, autoritetin e BE i bëjmë një shërbim të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe afrojmë ditën e fitores së kësaj beteje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e krizës së tmerrshme politike dhe ekonomike ku e ka zhytur vendin qeveria aktuale.
/ABC News Albania 24/7