Basha shkrep selfie me demokratët: Dy dashni kanë shkodranët, PD-në dhe Vllazninë

schedule11:49 - 19 Shkurt, 2022

schedule 11:49 - 19 Shkurt, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka startuar fushatën në Shkodër me një selfie me demokratët. Përpara se të mbante fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidatit Xhemal Bushati, si fillim Basha ka bërë një selfie me demokratët e pranishëm.

“Shkodra është kryeqendra e kombit sa i takon qytetarisë, vlerave, spirancës së kombit. Vëllezër dhe motra, dy dashni kanë shkodranët; PD dhe Vllazninë. Them se nuk ju njoh pak, por duke u njohur mirë, duke parë se si keni votuar, zgjedhje pas zgjedhjesh, që kur kam qenë fëmijë, mund ta them para jush se askush nuk i rren dot shkodranët. S’i ka rrejt Enver Hoxha për 50 vite dhe askush tjetër me asnjë marifet.”, tha Basha.

Basha deklaroi se Partia Demokrati i ka një borxh të madh Shkodrës, pasi ky qytet i ka dhënë shumë kësaj partie. Gjatë çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 marsit, Basha tha se shkodranët nuk duhet të kenë shembull për kryebashkiak kryeministrin Edi Rama dhe Tom Doshin, ndërsa ftoi si zgjidhjen e duhur kandidatin e PD-së, Xhemal Bushati.

Fushata për zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki të vendit që kishin mbetur pa kryetar nisi sot. Në garë janë 20 kandidatë nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Koalicioni i Lirisë, ku përfshihen grupi i rithemelimit, LSI dhe PDK. Partitë do të kenë vetëm dy javë kohë për fushatë. Këto zgjedhje do të kushtojnë 180 milionë Lekë. Sipas KQZ-së në 6 bashkitë janë të regjistruar 648.536 zgjedhës, do të ketë 13 KZAZ dhe 940 Qendra Votimi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!