Basha rrëzon Saliun për Portin e Durrësit: Berisha i ka zgjedhur kandidatët për 6 marsin

schedule18:19 - 22 Janar, 2022

schedule 18:19 - 22 Janar, 2022

Lulzim Basha ishte sonte në Durrës. Në një bashkëbisedim me demokratët, ai u foli për të ardhmen dhe u kërkoi që të lënë pas kohën e Sali Berishës.

Basha kishte një përgjigje edhe për akuzat e Sali Berishës, që u shpreh pak kohë më parë se Edi Rama dhe “pengu i tij”, i kanë aferat e përbashkëta tek sipërmarrësi që ka fituar projektin e Portit. Lideri demokrat premtoi se do të bëjë gjithçka që “i ashtuquajturi, projekti i portit të Durrësit, që është fantazmë, të mos bëjë asnjë milimetër përpara”.

Na kanë vënë edhe etikën e portit të Durrësit. Nuk është hera e parë që flas. E para është se është një tjetër provë korrupsioni përsa i përket Edi Ramës. Nëse ke për qëllim që të ndërrosh dhe të pasurosh një nga qendrat më të mëdha të Shqipërisë nuk i bën punët natën. Nuk i kalon ligjet në mes natë pa konsultim.

Nuk sjell këtu në prag të zgjedhjeve një sheik, që na e nxjerr herë për Krishtlindje dhe herë për Ramazan, por del dhe shpalos planin dhe si do të veprohet me pronat publike dhe private. Por ky njeri nuk mund të jetë Edi Rama, që premtoi 300 mijë vende pune dhe çoi 500 mijë në azil.

Kjo është arsyeja pse PD dhe unë që jo vetëm kemi qenë kundër, por jemi dhe do të jemi kundër, do të hedhim të gjitha ligjorë, që i ashtuquajturi projekti i portit të Durrësit, që është fantazmë, që të mos bëjë asnjë milimetër përpara. Zhvillimi nuk mund të bëhet pas kulisave dhe në kurriz të pronarëve të tokave që meritojnë të kenë pjesën e tyre në cdo zhvillim, në cdo qytet, jo vetëm në Durrës, por kudo.

Mbi padrejtësitë nuk mund të ngrihet as mrekullia që premton Rama. Le ta dëgjojë edhe njëherë se do të na kenë përballë bashkë me demokratët durrsakë për këtë projekt mafioz dhe nuk do të lejojmë tjetërsimin e pronës që u takon durrsakëve dhe po kështu nuk do të lejojmë që oligarkët mes trekëndëshit të Bermudës të vazhdojnë të ushqejnë Foltoren natën dhe Edi Ramën ditën” tha ai.

Në zgjedhjet e 6 marsit, tha se demokratët do të zgjedhin të ardhmen dhe ironizoi Berishën. “Zgjedhjet e 6 marsit do i përballim të bashkuar dhe vendosur për t’u treguar rrugën drejt së ardhmes, se refuzojmë hipokrizitë, cfarë primaresh do të bësh për dy ditë? Ti e ke zgjedhur kush është kandidati. Kur i pyete demokratët? A ka njeri në Durrës që nuk e di si bëhen kulisat e Foltores? Kështu do të vazhdojmë ne? Jo. Me gënjeshtra, mashtrime? Kështu nuk ecet përpara”.

Në fund, lideri i PD-së u shpreh se demokratët nuk janë dele që të flijohen për Sali Berishën. “Ne jemi ndryshe. Keni mbushur sallat për të çmontuar edhe gënjeshtrën e fundit, që baza demokrate është gati të flijohet për një njeri, a thua se demokratët janë dele, kur në fakt janë pasuria më e çmuar politike e këtij vendi. Të gjithë janë garancia, shpresa dhe rruga për ta nxjerrë Durrësin nga errësira e Ramës dhe brinjëve të tjera të trekëndëshit të Bermudës” deklaroi ai./ Abcnews.al