Një parodi tragjike e ka cilësuar kryedemokrati Lulzim Basha procesin e votimeve të 30 Qershorit. 2 orë pas përfundimit zyrtar të orarit të votimeve, Basha shprehu mirënjohje për qytetarët që bojkotuan procesin farsë të Edi Ramës.
Gati dy orës pas mbylljes së procesit të votimit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp duke e quajtur procesin një parodi tragjike. Basha tha se vetë socialistët e bojkotuan Edi Ramën.
“Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.”
Kryetari demokrat tha se procesi u karakterizua nga një sërë manipulimesh, ndërsa akuzoi KQZ, si vegël të Edi Ramës.
“Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda. Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vertetuar pjesëmarrjen e tyre në votim.”
Në fund kryetari i opozitës falenderoi dhe shprehu mirënjohje për qytetarët të cilët refuzuan zgjedhjet farse të kryeministrit.
“Ju e refuzuat farsën kriminale dhe të paligjshme që kishte për qëllim të vetëm çimentimin e pushtetit të marrë përdhunshëm dhe që do të shkatërronte themelet e shoqërisë. Ju e kuptuat se farsa e sotme vetëm sa do ta thellonte edhe me shumë padrejtësinë, vjedhjen, shtypjen, mjerimin dhe varfërinë tuaj. Sot kumboi mesazhi i qartë i shqiptarëve: Ju jam mirënjohës që ju përgjigjët thirrjes time për të mos rënë pre e skanarëve të dhunës. E refuzuat me tallje dhe përqeshje epike, siç e meritonte farsa e sotme.”
Në këtë ditë zgjedhjesh komunikimet për mediat kanë qenë të kufizuara nga ana e Partisë Demokratike. Zoti Basha zgjodhi orët e mbrëmjes për të komentuar procesin që e quajti maskaradë e votimit një partiak./ABC News Albania 24/7