Basha përkujton masakrën e Buzëmadhes: Ky jubile duhet të jetë një moment analize

schedule08:26 - 26 Shtator, 2019

schedule 08:26 - 26 Shtator, 2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar me një status në rrjetet sociale 75-vjetorin e masakrës së  fshatit Buzëmadhe ku 21 banorë mbetën të vrarë pa gjyq nga forcat komuniste.

“75 vjet më parë, në Lëndinën e Kroit të Bardhë, pranë fshatit Buzëmadhe të Lumës u krye njëra nga masakrat që simbolizon më qartë se çdo gjë tjetër luftën vëllavrasëse që forcat komuniste konsumuan në Shqipëri përgjatë gjithë periudhës shtator 1943 – nëntor 1944.

Në një akt të pabesë, forcat komuniste mashtruan popullsinë civile të fshatit Buzëmadhe dhe pushkatuan pa gjyq 21 banorë të fshatit, me pretendimin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin. Masakra e Buzëmadhes u krye sipas porosisë politike për të likuiduar çdo rezistencë tjetër që po i bënte ballë pushtimit gjerman dhe që aspironte për një Shqipëri demokratike, duke i hapur rrugën vetëm diktaturës së partisë-shtet, diktaturës së një individi që kishte tmerr nga çdo sprovë zgjedhjesh që mund të vinte në dyshim pushtetin e tij. Në këtë masakër u morën 21 jetë të pafajshme, dhe mbrtën 16 gra të veja e 58 fëmijë jetimë”, shkruan Basha.

Basha uron që ky 75-vjetor i masakrës të shërbejë si moment reflektimi kombëtar.

“Ky 75 vjetor duhet të jetë jubile përkujtimor edhe për viktimat civile të Luftës së Dytë Botërore, edhe për viktimat e diktaturës që erdhi pas përfundimit të kësaj lufte. Ky jubile duhet të jetë një moment analize, një moment për të kërkuar ndjesë, jo një moment revanshi e as tentativë e ulët për të përfituar nga partizanët e nga viktimat e Luftës së Dytë Botërore.

Shenjat e politikës së ulët që shfaqet në politikën e sotme të tipit “pushteti jonë është fituar me gjak dhe do të lëshohet vetëm me gjak” flasin për panikun e këtyre qenieve meskine, që s’kanë respekt as për gjakun e të rënëve e as për përvjetorin e çlirimit të vendit”, thotë Basha.

Në fund kreu i selisë blu uron që familjarët e viktimave nga masakra e Buzëmadhes të marrin ndjesën e duhur nga autoritetet.

“Paaftësia për të kërkuar falje po e bën shoqërinë tonë të paaftë të përparojë në rrugën drejt integrimit në familjen perëndimore, prandaj sa më shpejt të vijë kjo ndjesë dhe të ndalet loja e shëmtuar përplasëse me jubileun e 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, aq më shpejt përvjetorët që shënojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare do të jenë përvjetorë përkujtimi, lutjeje, analize e faljeje, dhe ç’është më e rëndësishmja, aq më shpejt do t’i mbyllin derën përsëritjes së fenomeneve që na turpërojnë si komb, siç është edhe Masakra e Buzëmadhes”, përfundon postimin e tij në rrjetet sociale kreu i PD-së.

Masakra e Buzëmadhes në Kukës ndodhi më 26 Shtator të vitit 1944. 21 persona të pafajshëm u pushkatuan pa gjyq pasi u futën në kurth nga komunistët./abcnews.al