Bota perëndimore e dha sinjalin e parë që 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri. Ky reagim i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ardhur pas vendimit të Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës që ka anulluar dërgimin e delegacionit vëzhgues për zgjedhjet vendore.
Ndodh për herë të parë në Shqipëri që nga rënia e komunizmit që Këshilli i Evropës të vendosë të mos dërgojë vëzhgues pëe zgjedhjet vendore. Me këtë deklaratë Lulzim Basha i kundërpërgjigjet akuzave se ka dalë kundër rrymës së ndërkombëtarëve.
“Bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri. Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës për të anuluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri”.
Këtë vendim Këshilli i Evropës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri –nënvizoi kreu demokrat.
“Ky është një vendim qartësisht politik sepse është një tërheqje që Këshilli i Evropës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni”.
Duhet të mbahet parasysh se Këshilli i Europës është institucioni kryesor i monitorimit të zgjedhjeve vendore në Evropë.
Mazhorancës i kujton qëndrimin e opozitës në lidhje me zgjedhjet vendore. “Votimet e 30 qershorit janë nul, janë dhe do të jenë zero. Asnjë hap pas! Ne do t’i dalim për zot Shqipërisë”.
Më herët kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me Kryesuesen e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit në Shqipëri Audrey Glover. Takimi ka zgjatur rreth 1 orë dhe në përfundim te tij, nga asnjë prej palëve nuk ka pasur informacion mbi diskutimet që janë zhvilluar. /ABC News Albania 24/7