Në një intervistë radifonike për BBC World kreu i partisë demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se forca politike që drejton distancohet nga dhuna në protestat e saj kombëtare, por e kupton zemërimin në rritje të qytetarëve.
Partia Demokratike ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme, është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna, i përgjigjet kështu kryedemokrati Lulzim Basha pyetjes së gazetarit të BBC World i cili kërkoi të dijë nëse ai dhe forca politike që drejton dënon dhunën e ndodhur në protestat kombëtare ku kryefjalë kanë qenë bombat molotov dhe shashkat.
“Absolutisht po. Megjithatë duhet kuptuar se dhuna e izoluar, që falë zotit nuk shkaktoi viktima, asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua, është shprehje e zemërimit në rritje. Kto protesta janë pasojë e një krize kushtetuese, politike dhe me pasoja ekonomiko- sociale”, është shprehur Basha.
Është ky realiteti larg të cilit qëndrojnë ata që quan “burokratë të Brukselit me raporte të sheqerosura”.
“Kjo duhet të jetë edhe një kambanë alarmi për vetë institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen në problemet e vërteta, me të cilat përballen vendi”, ka thënë kryedemokrati Basha.
Vendimi i Bashkimit Europian në Qershor për hapjen e negociatave me Shqipërinë do të sanksionojë një tjetër shtyrje të datës, sipas Lulzim Bashës dhe ky sipas tij është një tjetër rezultat i situatës që ka sjellë krizë të thellë në politikë dhe zemërim në rrugë dhe sheshe./ABC News Albania 24/7