Grupi Parlamentar vendos për djegien e mandateve të deputetëve. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se vendimi ishte unanim dhe vjen në kushtet e emergjencës kombëtare.
Lulzim Basha ka marrë dakordësinë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për diegien e mandateve. Pas tre orë diskutimesh me dyer të mbyllura shefi i opozitës i tha gazetarëve se deputetët dolën nga mbledhja me vendim unanim.
“Zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare; Vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike autorizoi Kryetarin e Partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë”.
Vendimi perfundimtar do të merret nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Ndërkohe grupi parlamentar vendosi për ngritjen e një grupi pune që do të merret me teknikalitetet e propozimit të kryetarit Basha. Shefi i opozitës argumentoi se vendimi radikal për djegien e mandateve vjen në kushtet e një emergjence kombëtare ku sipas tij ndodhet vendi.
“Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;
Të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë;
Të eliminimit të Gjykatës Kushtetuese;
Të kapjes totale të sistemit të drejtësisë;
Të paralizës së shtetit”.
I pari që ka dalë me këtë propozim nga radhet e opozitës është ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha këtë e ka mbështetur dhe në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ku mësohet të ketë thënë:
“Vendim që nuk është marrë në Shqipëri ndonjëherë. Në rrafshin politik ky është vendimi më ekstrem. Por e kërkon situata politike. Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptaret të jenë të lirë”.
Partia Demokratike përshkallëzoi qëndrimin me vendimin për të djegur mandatet e deputetëve pas protestës së të shtunës para Kryeministrisë dhe në prag të protestës së të enjtes përpara Parlamentit. /abcnews.al