Në një deklaratë për mediat, Lulzim Basha deklaroi se PD dhe opozita dolën më të fortë nga 30 Qershori. Kryedemokrati theksoi gjithashtu se sfida e opozitës së bashkuar tashmë është mesazhi që dhanë qytetarët më 30 Qershor.
“Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është një fakt i pranuar nga të gjithë. Farsa dështoi. Partia Demokratike doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 Qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 Qershori. Të gjithë bashkë si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 Qershori. 30 Qershori zbuloi fytyrën e vërtetë të PS-së të shkatërruara nga Edi Rama. Ajo është një parti që tashmë e mbështesin vetëm për para.
Qëndrimi juaj me 30 Qershor ishte një mesazh i qartë për ndryshim. Me qëndrimin tuaj ju e bëtë të pashmangshme sfidën për ndryshim. Kjo është tashmë sfida jonë. Ne, PD, e gjithë opozita e bashkuar sëbashku me ju duhet të projektojmë dhe sjellim ndryshimin që ju doni. 85% e shqiptarëve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje. Gjithçka tjetër është një farsë e paligjshme, antikushtetuese dhe një provokim kriminal për shqiptarët të cilët nuk ranë pre e tij. Këtë e di shumë mirë dhe Edi Rama”, tha Basha.
Basha deklaroi se votimet e 30 Qershorit e thelluan krizën. Ai theksoi se opozita do ta vazhdojë dhe qëndrimi i saj për largimin e tij nuk ka ndryshuar.
“Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën sepse dje edhe më fort u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama se me Edi Ramën nuk ka asnjë shpresë që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Beteja jonë vazhdon edhe më e fortë edhe më e vendosur. Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon. Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin dhe më 30 Qershor Edi Rama tregoi se nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me të. Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju dje. Ai nuk mund të jetë më pjesë e as edhe një hapi drejt së ardhmes”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se ndryshimi i thellë politik dhe ekonomik në vend mbetet qëllimi i tij kryesor. Ai deklaroi se ndryshimi do të nisë në momentin që politikanët do të dënohen.
“Tani ndryshimi është prioriteti ynë politik. Ndryshimi është qëllimi im më i madh. Një ndryshim i thellë politik dhe ekonomik. Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim. Nëse politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Nëse politikanët nuk dalin para drejtësisë për korrupsionin dhe krimet e tyre asnjë ndryshim nuk do të jetë i vërtetë.
Ditën kur politikanët të kenë frikë nga ligji, të kenë frikë nga drejtësia, ajo është dita kur Shqipëria është bërë evropiane. Që të vijë kjo ditë duhet që në Shqipëri të sundojë ligji. Duhet të ketë gjykata dhe prokurori të pavarura, duhet të ketë ndarje dhe kufizim të pushteteve. Për të arritur këto duhet që pushteti të burojë nga vullneti i lirë i njerëzve dhe jo nga droga dhe të fortët. Prandaj beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të vazhdojë me të gjitha mjetet.
Bashkë me këto përpjekje ne do të shpalosim vizionin tonë dhe planin tonë për ndryshimin e thellë politik dhe ekonomik të vendit. Dje shqiptarëtfituan një betejë kundër krimit të organizuar që drejton vendin”, tha Basha./abcnews.al