Basha: PD do të ulë çmimin e naftës

schedule15:28 - 19 Nëntor, 2018

schedule 15:28 - 19 Nëntor, 2018

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ishte në Poshnjë të Beratit, ku bashkëbisedoi me fermerët e zonës për problemet që ata kanë. Kreu i opozitës u ofroi zgjidhjen përmes programit të forcës politike që drejton, që nis me uljen e çmimit të naftës dhe subvencionimin e fermerëve.

Në Berat gjatë takimit me fermerët e zonës kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dëgjoi shqetësimet e tyre.

Lorenc Toska, fermer: “Nëqoftëse nuk të rimburson psh plehun që të ta japë jo në atë kosto, plasmasin nuk ta jep, 20 përqindëshin ta ka hequr, çfarë ngeli për ne? Nëse do të ndiqet kjo, është shumë e afërt që këtu do të falimentojnë të gjithë, pa përjashtim”.

Mungesa e subvencioneve dhe infrastrukturës, si dhe çmimi i lartë i naftës ishin problemet kryesore të fermerëve, për të cilat kryeopozitari Basha ofroi vizionin e forcës së tij politike si zgjidhje të situatës së vështirë ku ndodhen.

Lulzim Basha: “Nuk ka asnjë vend të Europës që bujqësia të funksionojë pa subvencione, as Ballkan. Ne s’themi se premtojmë mrekullira, por të paktën subvencione sa jep Kosova dhe Maqedonia do të japim. 150 milionë euro në vit janë të domosdoshme që të paktën të ulin kostot e mekanikës apo, në rastin tuaj të plasmasit të serave, të pesticideve, të imputeve, fidanëve etj.”    

Por qeveria, sipas Bashës, preferon që paratë e taksapaguesve, sot plotë 2.2miliard euo në vit, t’i ndajë me klientët e tij, duke ja hequr dy herë qytetarit, njëherë, kur ja mbledh si taksë dhe njëherë, kur nuk ia kthen mbrapsht si shërbim.

“Me 2.2 miliard euro, ne mund të arrinim fare lehtësisht të shpërndanim 150 milionë euro në vit për fermerët. Me 2.2 miliard euro ne mund të arrinim të rrisnim pensionet 30 përqind për gjithë shqiptarët.  Në vend që ndodhin këto dhe të ju prekin dhe të shpërndahet leku tek të gjithë shqiptarët, 10 veta marrin 2.2 miliardë euro dhe pjesa tjetër e popullit mbetet me gisht në gojë”.

Pjesë e planit të Partisë Demokratike është heqja e taksës mbi naftën, theksoi Basha, duke e ulur çmimin minimalisht me 300 lekë. Edhe kjo pjesë e programit të demorkatëve, plan i cili për t’u konkretizuar sipas Lulzim Bashës, duhet që fillimisht të bëj bashkë ata që për kryedemokratin janë shumica e ndershme e qytetarëve, kundër pakicës që qëndron në pushtet për shkak të kriminelëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!