Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me krerët e degëve dhe më pas grupin parlamentar te forcës politike që drejton. Në përfundim të takimit, i cili zgjati rreth dy orë, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, iu përgjigj interesimit të mediave mbi çfarë ishte diskutuar. Lulzim Basha theksoi faktin se Shqipëria sipas tij, nga një oaz i kanabisit, tashmë i është kthyer drogërave të rënda.
Lulzim Basha: “Paratë e përfituara nga trafiku kriminal i drogës, janë një kërcënim i jashtëzakonshëm për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Vlera e kësaj sasie droge është 180 milionë euro. Ku do të pastrohen këto para? Së pari në lavatriçen e madhe të pastrimit të parave të pista, në Bashkinë e Tiranës, e cila ka dyfishuar numrin e lejeve të ndërtimit, ka më shumë se dyfishuar sipërfaqen e ndërtimit, pas bumit të drogës së vitit 2016.
Prandaj hetimi dhe vëmendja ligjore e Prokurorisë, vëmendja politike dhe e çdokujt që shqetësohet për fatin e vendit, nuk mund të jetë thjeshtë dhe vetëm tek parcelat e kanabisit apo vetëm tek kontenierët e heroinës dhe kokainës, por duhet të kthehen, aty ku po pastrohen paratë e krimit, në Bashkinë e Tiranës që është lavatriçja kryesore e pastrimit të parave të pista, parave të drogës dhe në të gjithë sektorët e tjerë, ku po pastrohen miliona Euro, të cilat faktikisht po shkatërrojnë ekonominë, sepse në këtë vend nuk prodhohet më asgjë dhe nuk eksportohet më asgjë përveçse drogës.
Dhe kjo është arsyeja se përse ekonomia është në kolaps, vendet e punës po mbyllen dhe kemi gjithmonë e më shumë familje në varfëri ekstreme, sepse ekonomia nuk mund të funksionojë, kur aktiviteti më i madh fitimprurës dhe eksporti më i madh i vendit është droga. Cili aktivitet ekonomik mund të konkurojë drogën? Më thoni, cilët njerëz mund të jetojnë me punë të ndershme në një vend ku prodhimi më i madh në vend është kultivimi dhe trafiku i drogës”?