Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi pas dëshmisë në Prokurori se Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Sipas kreut demokrat Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika.
“Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për hetimin që ka hapur në lidhje me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i përket veprës kriminale të futjes së parave të krimit me Toyota Yaris.
Ky veprim dëshmon se deklaratat e mia publike në përfshirjen e Ballës në dhënien e garancisë dhe paratë e pista janë të vërteta. Në këtë aferë janë përfshirë edhe Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. Kam ardhur të dëshmoj se ku ka degraduar sistemi i Prokurorisë shqiptare. Në vend që të hetojë se kush i garanton këto akte krimianle, i trajton si nxjerrje të sekterit shtetëror
Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës, për të kërkuar dekada burg për Tahirin, Dakon, Sejdinin, por e kapur nga pushteti kriminal i Ramës prokuroria po i trajton si sekret shtetëror. Nëse prokuroria do vepronte sot Balla do ishte në arrest, Tahiri, Dako, Sejdini. Xhafaj duhet të ishte jashtë politikës”.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha u rikthye sot te prokuroria e Tiranës, për padinë e dytë të kreut të grupit socialist, ndaj tij. Taulant Balla e ka paditur për shpifje pas deklaratave të Bashës të nisura në parlament, se kreu i deputetëve socialistë kishte lidhje me 3.4 milionë eurot e kapura në dy Toyota Jaris në Durrës qershorin e këtij viti.
Basha është thirrur për të dhënë shpjegime për deklaratat e tij, që Balla konsideron shpifje.
Kjo është hera e dytë që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paraqitet në prokurori, i paditur nga Taulant Balla. Më 12 tetor Basha ishte në prokurorinë e Tiranës, i paditur për shpifje për shkak të deklaratave për rastin e Xhisiela Malokun, vajzën nga Fushë Kruja që denoncoi dhunën e djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. /abcnews.al