Basha: Partia Demokratike sot përballet me një detyrë kritike

schedule22:54 - 19 Janar, 2019

schedule 22:54 - 19 Janar, 2019

“Partia Demokratike sot përballet me një detyrë kritike, ngarkuar nga situata e krijuar në vend që po shkatërron jo vetëm të tashmen por edhe të ardhmen e këtij vendi”.

Deklarata erdhi nga kreu i kësaj force politike Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të kësaj force politike.

“Si rrallë ndonjëherë në këto tre dekada, një partie politike nuk i kërkohet thjesht të jetë një zgjidhje, një alternativë elektorale, nuk i kërkohet thjesht që të ndalë një të keqe… Nga ne sot kërkohet një ndryshim transformues, edhe më i vështirë se ai në fillim të viteve 1990-të. Atëhere kishte energji, kishte shpresë, politika shihej si një e mirë që do e çonte vendin përpara. Sot Shqiptarët e shohin politikën si të keqen më të madhe dhe shkataren kryesore të problemeve tyre. Sot shqiptarët kanë humbur besimin tek vetja dhe tek e adhmja…Në këtë sfond, në këtë realitet ne duhet jo vetëm të luftojmë luftën për ndryshim, por mbi të gjitha betejën për besim, sepse pa besim nuk mund të arrijmë asgjë!”

Jo mrekulli, por normalitet ofron Partia Demokratike përkundër politikës hajdute, gjënjështare dhe arrogante, thekson Basha, normalitet i cili në Shqipëri apriori ngrë katër nevoja urgjente sipas tij.

“Për ndarjen e politikës nga krimi përmes vettingut të politikanëve. Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve. Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare. Integrimin e shqiperisë në BE”.

Pyetjes se si dhe kur do e rrëzojë qeverinë e Edi Ramës, Lulzim Basha i jep një përgjigje.

“Sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do bjerë Edi Rama. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama nuk e gjejmë dot as në rrugë, dhe as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve…”.

Janë ata të cilët kreu i demokratëve Lulzim Basha kërkon t’i prijë në revoltë popullore, vendimmarrja nga Këshilli për të cilën ishte ngarkimi i strukturave drejtuese me organizimin e protestave me qëllim krijimin e një qeverie kalimtare dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme si zgjidhje politike e krizës ne vend.

Do të jetë kryesia  e re dhe grupi parlamentar ata të cilët do të marrin vendimet specifike sa i përket datës së nisjes së protestave apo pjesmarrjes së demokratëve në punimet e Kuvendit./abcnews.al