Basha: Nuk ka zgjidhje pa ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin

schedule09:35 - 23 Qershor, 2019

schedule 09:35 - 23 Qershor, 2019

Nuk ka dalje nga kriza politike në Shqipëri “pa u ndëshkuar personat që kanë kapur shtetin me krim të organizuar dhe korrupsion”. Këtë kusht të ri të opozitës kryetari i Partisë Demokratike e nënvizoi edhe gjatë intervistës që dha në Radio Evropa e Lirë.

Nuk e sheh politikën si Pazar veçanërisht në këtë kohë kur të gjitha akuzat e ngritura në 6 vitet e fundit janë vërtetuar. Këtë përgjigje I jep interesimit të gazetares së Radios Evropa e Lirë për rrugë daljen nga kjo krizë politike.

“Publikimet më të fundit të gazetës prestigjioze gjermane Bild, tregojnë se jo vetëm kemi kapjen e shtetit nga krimi, por kemi shkrirjen në një të  partisë në pushtet, qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Zgjidhja e kësaj krize politike nuk mund të kalojë thjesht nëpërmjet një marrëveshjeje të rëndomtë politike me një pazar mes palësh. Nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj krize pa drejtësi dhe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe kriminelëve që, së bashku, kanë asgjesuar procesin politik, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë devijuar vullnetin popullor dhe kanë prodhuar themelet e kësaj krize – një parlament ilegjitim, një qeveri ilegjiime, të dalë jo nga vota e qytetarëve, por nga diktati i krimit të organizuar, me paratë e drogës dhe të krimit dhe që, si rezultat, vazhdon të mbetet peng i interesave kriminale dhe private, në vend që t’i shërbejë interesave publike”, tha Basha.

Rruga ishte e vetmja mundësi për opozitën që ti dëgjohej fjala Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryedemokrati sqaron se të gjithë hapat që ndërmorën Brenda institucioneve parlamentare u shpërfillën nga mazhoranca.

“Ne përfunduam së qeni një fasadë e një Kuvendi tashmë të faktuar si produkt i diktatit të krimit. Provuam për afro dy vite, që brenda këtij Kuvendi të bënim reformat e duhura për të shkatërruar këtë lidhje midis politikës dhe krimit, këtë shkrirje në një të pushteti me krimin.

Vendimi ynë, padyshim, i paprecedentë, u zbulua të ishte vendimi i vërtetë, sepse tashmë gjithë bota e ka parë se parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare nuk janë produkt i votës së popullit, por janë produkt i shkrirjes në një të qeverisë, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar”, tha Basha.

Kërkesa për dialog që ka përsëritur bashkësia ndërkombëtare në Shqipëri nuk mund të arrihet me kryeministrin Rama. Ky i fundit e zgjat dorën e bashkëpunimit sa për sy e faqe nënvizoi kryetari i Partisë Demokratike.

Apo akoma më keq, për propagandë nuk janë ftesa, por janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve. Në krizën aktuale në Shqipëri është qartë se shkaktari kryesor është zoti Rama, i cili, për pushtetin e tij ka lidhur një pakt me krimin, çka faktohet edhe nga këto dosje hetimore, 339, 184”, tha ai.

Sipas Lulzim Bashës radiografia që gazeta gjermane Bild i bëri procesit zgjedhor në Shqipëri, tregon se nuk kemi të bëjmë më thjesht me një shtet të kapur nga krimi, por me një shtet të shkrirë në një me krimin e organizuar.

“Ndaj, asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, qofshin kriminelë të rrugës apo politikanë të bërë njësh me krimin. Ky është një kusht i panegociueshëm, jo thjesht për opozitën, po në qoftë se nuk arrijmë këtë, nga kjo krizë do të shkojmë në një krizë tjetër akoma më të thellë”.

Këmbënguljes së kryeministrit për të shkuar drejt kutive të votimit në 30 qershor i përgjigjet prerë.

“Për ne është fare e qartë, 30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Votime ka edhe në Korenë e Veriut, për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës. Procese farsë mban edhe Berdinmuhamedovi i Turkmenistanit. Po këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Nuk mund të ketë zgjedhje me një kandidat. Çfarë zgjedhjeje është ajo,  kur ti ke një kandidat? Kjo na kthen pas në kohën e sundimit të diktaturës së Enver Hoxhës”.

Refuzimi që po i bëhet Shqipërisë prej 3 vjetësh nga Evropa tregon se kjo qeveri nuk përmbush detyrat në luftën  kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, por ka bërë hapa pas shprehet kryetari i Partisë Demokratike në një intervistë për Radio Evropa e Lirë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!