Lideri PD-së, Lulzim Basha, në turin e tij ‘Rrugëtimi për Shqipërinë’ ka takuar sot fermerët e Urës Vajgurore për të diskutuar problemet për bujqësinë. Basha është shprehur se qeveria Rama ka bërë dëmin më të madh për bujqësinë në vend, ndërsa tha se dështimi më i madh i tij është sektori i bujqësisë.
Në këtë takim me qytetarët Basha tha se Partia Demokratike do ta ketë në plan të parë sektorin e bujqësisë, jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete përmes mbështetjes së fermerit me subvencione të drejtpërdrejta.
“Me siguri pyetja kryesore është: Dhe sa na duhet të rezistojmë”, është shprehur Basha në takimin e tij me fermerët e Urës Vajgurore.
“Jo dhe shumë. Ndaj jam këtu, që duke marrë frymëzim nga ju, nga duart tuaja punëtore e të ndershme, t’ju jap kurajo e t’ju them se së bashku do t’ia dalim shumë shpejt dhe se qeverinë e ardhshme do ta keni në krah tuaj, afër jush me mbështetje financiare, me investime në infrastrukturë, me subvencione pa burokraci dhe duke i thjeshtuar të gjitha që paraja e subvencionit për fermerin të vijë direkt në kontot tuaja’, deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.
“Dëmin më të madh kjo qeveri dhe ky kryeministër ia kanë bërë bujqësisë.
Para dhjetë vitesh ne nisëm skemën e subvencionimit në bujqësi, që iu dedikua disa sektorëve të veçantë. Kemi 7 vite që shohim se si kjo shumë tretet nga viti në vit. Vjet ishte 7 milionë euro dhe vetëm 3 u disbursuan dhe i shkuan klientëve të Edi Ramës.
Rezultatet janë të qarta. Bujqësia është në kopals, femerët janë në prag të falimentit. Prodhimet tona në vend të furnizojnë tregun e brendshëm, kalben sepse nuk arrijnë kurrë në treg tek konsumatori ose kur arrijnë nuk konkurojnë dot me prodhimet nga jashtë. Rimëkëmbja e bujqësisë është në zemër të programit tonë”, deklaroi Basha.
Basha gjatë takimit me fermerët tha se nuk bëhet shtet me noter dhe parukier, ndërsa theksoi se nëse të gjithë ne dhe qytetarët bëhemi bashkë kundër shitjes së votës, ky regjim merr fund. Në qeverinë time të gjitha problemet që kanë çuar në këtë kolaps të bujqësisë do të trajtohen me përparësinë më absolute që ditën e parë, tha Basha. Me planin tonë për arsimin e lartë dhe profesional, një pjesë shumë të madhe të subvencionimit të arsimit të lartë në fushën e agronimisë, veterinarisë, zooteknikës, inxhinierëve të pyjeve dhe mjedisit, peshkimit, bletarisë do të marrë subvencionim me para të fëmijëve tuaj për arsimin e tyre në këto fusha.
Nuk është puna se nuk ka treg në Shqipëri, por nuk ka interes, nuk ka pushtet ndaj bujqësisë e cila ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm. Përgjigja ndaj këtij sektori është subvencionimi që do të shkojë të fermëri. Fermerët do t’i mbështësim me kredi të buta, tha Basha. Basha premtoi se do jenë 50 milionë euro në dispozicion për mbështetje infrastrukturore të bujqësisë.
“Do të vendoset subvencion fiks për çdo tonelatë, perime, bulmet, mish dhe do të paguhet drejtpërdrejt tek fermeri. Në qoftë se dorëzon dhe çeritifikohet prodhimi që ke bërë çdo vit, merr subvencion.
Thyejani turinjtë atyre që vijnë t’ju blejnë, është shprehur Basha.
Basha ka premtuar në takimin me banorët e Urës Vajgurore se nga qeveria e PD do të ketë 100 milionë euro subvencione. Kjo është oferta ime të mos ketë më fermerë të varfër, tha Basha. Zotimi im është që qeveria e ardhshme nuk do t’ju ketë prapa listës apo në fund të listës, por do ta ketë fermerin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare në krye të listës me buxhet, me financa, me masa konkrete dhe jo me fjalë. çdo pikë djerse e fermerit shqiptar të mos shkojë dëm, mos të shkojë në kanal por të kthehet në punësim, para, mirëqenie, kreditim për ju dhe fëmijët tuaj. Përgjegjësia më e madhe është për të ruajtur dinjitetin tuaj dhe të ardhmen tuaj duke ruajtur votën tuaj. Nëse të gjithë bëhemi bashkë dhe nuk lejojmë shitjen e votës, nëse bëhemi bashkë me shpirt e me mendje për një Shqipëri të vlerave të vërteta, vlerave të punës, dhe jo vlerave të krimit, atëherë kjo qeveri bie për 24 orë.
/abcnews.al