Basha në Vlorë: Prioritare nxjerrja e ekonomisë nga kriza

schedule16:40 - 11 Shkurt, 2019

schedule 16:40 - 11 Shkurt, 2019

Gjatë ndalesës në Vlorë, kryetari i PD Lulzim Basha pati një bashkëbisedim me bizneset e zonës. Kryedemokrati diskutoi problemet e tyre dhe u paraqiti zgjidhjet që ofron opozita.

Takimet me qytetarët e Vlorës për t’i ftuar në protestën e 16 shkurtit, kryedemokrati Lulzim Basha i vijoi me grupin e interesit më të rëndësishëm por edhe më të rënduar sipas tij sa i përket shqetësimit më të madh të shqiptarëve sipas tij, gjendja ekonomike në vend.

“Anketa më e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon besimin e konsumatorit, besimin e biznesit me rënien pikiatë për 4-5 tremujorë. Kreditimi i biznesit, sipas të njëjtit buletin, është në rënie, klima e biznesit në përkeqësim, sipas edhe vetë Forumit Ekonomik Botëror.  Vendi ynë, në raport me vendet e tjera të rajonit, nuk po flas më gjerë, përsa i përket pëlqyeshmërisë është i fundit, na ka kaluar edhe Kosova, edhe Bosnjë Hercegovina”.

Përballë asaj që quan mungesë totale të politikave ekonomike, politikave të gabuara fiskale si dhe korrupsionit, trinom i qeverisjes së rilindjes në këto 6 vjet, Basha vizionin e tij për biznesin e përmbledh në tre shtylla kryesore.

“Çlirimi i tregut nga monopolet, oligarkia dhe korrupsioni. Një politikë fiskale, e cila do të nxisë prodhimin dhe punësimin si objektivi ynë numër një. Orientimi nga prioritet e ekonomisë shqiptare”.

E para mundësohet përmes platformës antimafia thekson Basha.

“Nuk do të ketë propozime të pakërkuara, nuk do të ketë kompani fantazëm, që krijohen dy ditë para tenderit, nuk do të ketë tendera me konkurencë fallco ku futet një bedel në të tre lotet dhe pastaj zeron ofertën, që të dalë oferta më e lartë që të marrë 40 milionë euro për 2 km për tendera si ai i unazës me 40 milionë euro, që janë paratë e shqiptarëve”.

Sa i përket politikave fiskale, taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimit të karburantit,  heqja e tvsh-së për biznesin nën 140 milion lekë të vjetra dhe tatimi me 0.5% e xhiros vjetore, detyrim që do t’i shkojë pushtetit vendor duke i hequr atij të drejtën për të vendosur taksa ndaj biznesit, mund të ndalë atë që kryedemokrati e quajti arrest kardiak të biznesit të vogël. Sa i përket prioriteteve?

“Në mënyrë absolute turizmi, potenciali më i madh, i cili pritet që në nivel global të dyfishohet. Së dyti energjetika.  30% e energjisë që konsumojmë çdo ditë vjen nga investimet private në energjetikë. Është shfrytëzuar vetëm 50% e potencialit. Teknologjia e informacionit. Nevoja për programues në Europë përllogaritet të rritet në miliona njerëz… 4. Bujqësia dhe agroturizmi. Totalisht e pashfrytëzuar… 5.   Dhe fusha e pestë prioritet-logjistika”.

Është ky vizioni i Partisë Demokratike, sipas Bashës, i ndryshueshëm përmes tavolinave të konsultimit si kjo, me qëllim parësor punësimin dinjitoz të shqiptarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!