Basha në Maliq: Rotacioni politik i nevojshëm sa para 30 vitesh

schedule11:56 - 6 Nëntor, 2018

schedule 11:56 - 6 Nëntor, 2018

Rotacioni politik sot, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, është po aq i nevojshëm, sa para 30 vitesh. Lulzim Basha takoi banorët e Maliqit, me të cilët bisedoi për ringritjen e bujqësisë.

Para se të nisej për në Helsinki ku do të marrë pjesë në kongresin e Partive Popullore Europiane kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi banorët e Maliqit. Me ta bisedoi për alternativën e opozitës për ringritjen e bujqësisë.

Lulzim Basha, kryetar i PD: “Në rastin e bujqësisë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Politikat për të mbështetur bujqësinë funksionojnë njësoj, si në Europë edhe të fqinjët tanë, Maqedonia dhe Kosova. Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milionë euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare”.

Basha iu tregoi banoreve edhe burimin e financimit për ringritjen e bujqësisë.

“100 milionë euro do të harxhojë vitin e ardhshëm, po e lamë, vetëm për 10 oligarkë Edi Rama. Vetëm për tre inceneratorët, që janë makina të prodhimit të parave, Arben Ahmetaj do të marrë 22 milionë euro për veten e tij, t’i fusë në xhepat e tij. Ne do t’i japim fund koncensioneve korruptive që na e kanë çuar kilometrin e rrugëve në 25 milionë euro.”

Kryetari i Partisë Demokratike i kërkoi banorëve të Maliqit t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur rotacionin politik.

“Asgjë prej këtyre nuk mund të vijë pa një rotacion politik, pa një transformim total, që është po aq i nevojshëm sot sa para 30 vitesh. Para 30 vitesh kishim 13 anëtarë të Byrosë Politike që nuk mendonin për njerëzit, por mendonin vetëm për veten e tyre. Edhe sot kemi 5 banditë, 5 oligarkë dhe 5 politikanë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Para 30 vitesh ata e kishin bërë Shqipërinë kopësht zoologjik të stalinizmit. Edhe sot këta 15 Banditë e oligarkë e konsiderojnë gjithë Shqipërinë çifligun e tyre.”

Ringritjen e bujqësisë opozita e mbeshtet tek subvencionet direkte, investimet në infrastrukturë dhe mbrotjen e prodhimit vendas nga tarifat doganore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!