Basha në “Log.”: Me mua kryeministër, vaksina të certifikuara për shqiptarët, procesi do ecë shpejt

schedule22:03 - 15 Prill, 2021

schedule 22:03 - 15 Prill, 2021

Lulzim Basha u shpreh në “Log.” se qeveria shqiptare me procesin e vaksinimit dështoi ashtu si me menaxhimin e pandemisë prej një viti dhe shëndetësisë në 8 vite. “Sipas të dhënave shumica e gazetarëve dhe operatorëve kanë refuzuar të bëjnë vaksinën sepse kur nuk ka transparencë, nuk ka besueshmëri. Nuk ka rrugë tjetër për të luftuar me efektivitet pandeminë përveç vaksinimit.

Vaksinimi nuk është proces personal, shqiptarët duhet ta kuptojnë se vaksinat blihen me paratë e taksave të shqiptarëve. Besueshmëria vjen përmes transparencës, si mund të ketë transparencë kur ti thua po sjell një çantë por nuk po e them nga erdhi, kur t’i e kthen procesin në fushatë për interesa private, politike apo elektorale. Si në tetë vite edhe në menaxhimin e pandemisë, ky kryeministër ka dështuar për shkak të mungesës së transparencës që ka rrënuar besueshmërinë te procesi i vaksinimit” tha ai.

 

Por cfarë do të ndodhë nëse fiton PD? “Përgatitjet janë bërë. Partnerët na kanë vendosur në dispozicion 4 ekspertë perëndimorë. Partnerët janë SHBA, BE dhe Britania e Madhe. Ekspertët i bashkohen ekipit tanë. Partnerët ia kanë vendosur edhe qeverisë, por mesa duket është interesuar te teatri dhe jo te zgjidhja e problemit” tha ai.

Nëse vjen në pushtet, Lulzim Basha premtoi se procesi do të ecë shpejt dhe me vaksina të certifikuara që do të rrisin besueshmërinë.

Me ne procesi i vaksinimit do të ecë në bazë të dy parimeve, transparencës dhe administrimit të vaksinave të certifikuara nga Bashkimi Europian. E para është kjo, a e mbani mend kur nisi administrimi i vaksinave, që mediat Europiane shoqëronin me kamera autokolonat që merrnin vaksinat, e bënin për të rritur besueshmërinë e njerëzve, e kundërta ndodhi këtu. Shqiptarët duhet të kenë besim që po marrin vaksina që me të vërtetë do i ndihmojnë dhe kjo vjen përmes certifikimit të vaksinave, EMA dhe FDA.

Shqiptarët meritojnë vaksinim të sigurt. Unë flas si drejtuesi i ardhshëm i qeverisë shqiptare. Drejtuesi në ikje i qeverisë shqiptare duhet të kishte garantuar transparencën, besueshmërinë dhe që shqiptarët të merrnin vaksina të certifikuara. Me ne procesi i vaksinimit është i garantuar që do të ecë shpejt dhe me vaksina të certifikuara që do të rrisin besueshmërinë dhe administrimin sa më të shpejtë të tyre te e gjithë popullata shqiptare” tha ai./ db/ Abcnews.al