Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka realizuar sot një takim me demokratët në Shkodër. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha ndër të tjera se 25 prilli është vjedhja më e madhe në historinë e pluralizmit.
Basha u tha demokratëve të Shkodrës se nuk ndodhej sot mes tyre për t’u kërkuar simpati apo duartrokitje, ai shtoi se duartrokitjet janë për ta pasi “qëndruat në këtë betejë në mënyrën më të fuqishme, në rrethanat më të pamendueshme.”
Duke folur për partinë që mori 2 mandate në Shkodër, lideri demokrat tha se nuk ka PSD, por bëhet fjalë për një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit “për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
“Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare. E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën…”
FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN ME DEMOKRATËT NË SHKODËR
“I nxitur edhe nga mesazhet tuaja nga shumë prej jush, ndoshta disa nuk ndodhen këtu, anëtarë, demokratë, por që i përfaqësoni ju, edhe prej një nxitje të brendshme se disa fjalë nuk mund t’i thoja në vend tjetër përveçse këtu në Shkodër, sikundër disa fjalë të tjera s’mund t’i thoja askund tjetër përveçse në Elbasan e kështu me radhë.
Prandaj ndodhem sot këtu me një mesazh të qartë dhe shpresoj jo fortë të gjatë, por për të cilin dua t’ju shoh në sy dhe kërkoj vëmendjen tuaj të plotë. Sepse e di që jeni të mërzitur, e di që jeni të zhgënjyer, e di që jeni të zemëruar, sikundër e di që jeni të gatshëm, siç ka qenë Shkodra përherë për hapin tjetër.
Më lejoni pra ta filloj arsyen e vërtetë pse ndodhem sot këtu, nuk jam këtu as për të kërkuar simpatinë dhe as duartrokitjet tuaja, sepse në fakt duartrokitjet janë për ju dhe për mijëra demokratë të Shkodrës që qëndruan në këtë betejë në mënyrën më të fuqishme, në rrethanat më të pamendueshme. Dhe që ta them këtë në qytetin ku kam ardhur çdo 2 prill, me përjashtim të këtij viti për shkak të agjendës elektorale për t’u përkulur përpara katër martirëve, është guxim i madh.
Por më lejoni të shprehem se pse i them këto fjalë dhe pse mendoj kështu. Sot nga Shkodra e krenarise kombetare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së.
Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare.E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit.
Si asnjë herë tjetër, shteti u përvesh me të gjitha mjetet në aleancë me krimin kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës.
Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi.
Por, e them me krenari që nuk ia dolën të trysnojnë demokratët e Shkodrës dhe qytetarët shkodranë. Nuk ia dolën sepse ju dhe i gjithë ekipi juaj, i demokratëve dhe i mbështetësve tanë, dolët në këtë betejë me zemër dhe jo me frikë, dolët në këtë betejë me njerëz të ndershëm në krah dhe jo me banditë, dolët në këtë betejë me program, me vizion dhe jo me ankthin e atyre që luftonin për të mbajtur dhe ruajtur plaçkën e vjedhur këto 8 vite shkodranëve dhe shqiptarëve. Ju dolët në betejë si njerëz të lirë pa asnjë pushtet dhe pavarësisht vjedhjes më të madhe në historinë e pluralizmit ia dolët dhe e patë në sytë e njerëzve, e ndjetë në zemrat e tyre sesi e ngritët peshë shpirtin e tyre, pasionin e tyre për ndryshim.
Jam i vetëdijshëm se edhe përtej vështirësive të parrëfyera të gjithsecilit prej demokratëve, këtë nuk e bëtë për veten tuaj, nuk e bëtë për mua, nuk e bëtë për drejtuesit tanë politikë, por e bëtë sepse gjithsecili prej jush hyri në këtë betejë me besimin se fitorja e Shqipërisë ishte më e rëndësishme sesa fitorja me çdo çmim e partisë.
“Po sot Shqypni po më thuaj si je”- do të thoshte Pashko Vasa.
Si është pra, Shqipëria pas 25 prillit? A është më e mirë Shqipëria pas 25 prillit? A ka Shqipëria një parlament pa krim pas 25 prillit? A është më e bashkuar Shqipëria pas 25 prillit? A ka një të ardhme të qartë europiane Shqipëria dhe shqiptarët pas 25 prillit?
Përgjigja është jo. 25 prilli jo vetëm nuk zgjidhi asnjë nga këto, por i thelloi plagët e vjetra të vjedhjes së zgjedhjeve e të aleancës së pushtetit me krimin të korrupsionit dhe të varfërimit të qytetarëve si pasojë e tyre. Në këto kushte ne kemi një dhe vetëm një detyrë, të vazhdojmë deri në fund betejën derisa e drejta për 25 prillin të jetë e qartë dhe e kthjellët si qielli. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, të gjithë e dimë se forca dhe vullneti juaj bënë diferencën pavarësisht prej makinerisë shtetërore të bërë njësh me mafien, pavarësisht regjimit Rama-Doshi.
Tani Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe është në dorën tonë dhe të askujt tjetër për të nxjerrë nga ky udhëkryq. Askush tjetër nuk ka forcën, pastërtinë, bashkimin për ta nxjerrë nga ky udhëkryq.
Ndaj, sot kam ardhur t’ju për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur. Nëse jemi të vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje e cila ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për ndryshim, nëse jemi të bashkuar, nëse jemi të gatshëm të pranojmë dhe të ndreqim ato që janë në dorën tonë të ndreqim, atëherë i kemi të gjitha mjetet për ta mbajtur të ndezur shpresën dhe pasionin për ndryshim të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shkodranëve, i kemi të gjitha mjetet për ta flakur me çdo mjet një orë e më parë këtë pakicë plaçkitëse.” /abcnews.al/