Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se raporti përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit i publikuar nga OSBE/ODUIHR rrëzon përfundimisht farsën e procesit të organizuar nga maxhroanca. Në një dalje nga selia blu, Basha theksoi se më shumë se një raport për një proces zgjedhor, dokumenti i publikuar nga vëzhguesit e ODIHR ngjan me raportin e një ngjarje kriminale. Basha zotohet se angazhimi maksimal i demokratëve do të jetë reforma zgjedhore.
Raporti për Bashën ka rrëzuar procesin e 30 qershorit në çdo aspekt dhe konfirmon se dita e zgjedhjeve ishte antikushtetuese dhe pa një dekret presidencial.
“Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë stukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.
Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh”.
Referncën kryesore nga raporti i ODIHR, Basha e mori në fjalitë ku flitej për Komision Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas kryedemokratit në të gjithë raportin, institucioni etiketoheju më shumë si një organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.
“Votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme.
Votimet e 30 qershorit ishin një farsë moniste dhe e përfaqësimit politik dhe shkatërrim i demokracisë.
Për këto arsye, 30 qershori ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama”.
Pas publikimeve të vendimeve gjyqësore për dy kryebashkiakë socialostë, Basha kujtoi se edhe pse i vetëm në zgjedhje Rama nuk e tradhëtoi aleancën me krimin.
“Më 30 qershor nuk kishte asnjë konkurencë, nuk kishte asnjë garë. Edi Rama mund të emëronte këdo që dëshironte pa u shqetësuar se sa vota do të merrte. Por edhe në këto kushte zgjedhja e tij e natyrshme ishte krimi, ishin personat me rekorde kriminale”.
Një ditë pas takimit me drejtorin e Departamentit Amerikan te shtetit per Europen Jugore dhe Qendrore David Kostelancik, Basha theksoi se reforma zgjedhore do të jetë prioritet kryesor për PD.
“Shqipëria ka nevojë që të ripërqafojë vlerat e pluralizmit, demokracisë, ligjit dhe lirisë. Kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike. Ky është prioriteti ynë i menjëhershëm”. /ABC News Albania 24/7