Basha i vendosur: Mos bëni lojëra, vullneti i popullit është në çdo kuti

schedule12:11 - 26 Prill, 2021

schedule 12:11 - 26 Prill, 2021

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se deri tani Partia Socialiste ka shënuar një humbje të thellë.

Basha bëri thirrje që numërimi të vijojë në mënyrë rigoroze dhe se vullneti i popullit është shprehur në kutitë e votimit, ndërsa apeloi që të mos bëhen lojëra me votat e qytetarëve.

Lexo edhe: Basha: PS ka humbur thellë

“Deri sa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin si bastione ne presim që fitorja e Aleancës të konfirmohen në të gjithë vendit. I bëj thirrje t’i lënë lojërat, të vazhdohet numërimi sepse vullneti i popullit është në ato kuti. Numërimi do të bëhet në mënyrë strikte. Unë jam i bindur se në fund të këtij numërimi fitorja do të jetë e prekshme”, tha Basha.

Kryedemokrati gjithashtu theksoi se komisionerët duhet të vazhdojnë punën me përgjegjësi.

https://www.youtube.com/watch?v=7r81A8RUiC8

Pjesë nga deklarata e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha:

Së pari, dua të falënderoj të gjithë mediat që keni bërë një punë të jashtëzakonshme duke vazhduar mbulimin nën stop dhe që do të vazhdoni për orët e ardhshme derisa numërimi të mbarojë.

Siç e dimë të gjithë, qendrat e para që numërohen të cilat janë të përcaktuara nga partia në pushtet, favorizojnë historikisht partinë në pushtet. Thënë kjo, Partia Socialiste ka humbur thellë numrin e votave të numëruara në Tiranë, në zonat e mbyllura, në Përmet, Këlcyrë, Memaliaj, kudo ku janë hapur këto kuti të cilat faktikisht ishin shënuar, sistemi është bërë i tillë me kutitë ku gjoja PS-ja do të ishte më mirë.

Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të Partisë Socialiste dhe një fitore, një rritje të numrit të votave për Partinë Demokratike, për koalicionin për ndryshim. Ky është fillimi pas kutive që shpresonin ti kishin basion, ku qartësisht janë ndëshkuar siç ishte zona 10 në Tiranë, ku Partia Demokratike ka një rritje prej 30% dhe PS-ja ka një rënie prej 200 votash, apo në zonën e Memaliajt, Këlcyrë, Përmet, ku po kështu janë ndëshkuar qartësisht nga qytetarët do të vij dhe radha e kutive të tjera.

Por ajo që është e qartë si dritë dielli, është deri sa janë ndëshkuar në ato që I ishin bastione, ne presim që vota për Ndryshim të vazhdojë dhe fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në të gjithë vendin.

Çfarë është e rëndësishme tani është që ata që e dinë fare mirë se me projeksionet aktuale, se çfarë i pret në kutitë e tjera, ti lënë lojërat, janë ata që kanë bllokuar numërimin në Kamëz dhe Paskuqan, janë ata që përpiqen të bllokojnë numërimin në Durrës e kudo tjetër.

Le të vazhdojnë numërimin sepse vullneti i popullit është në kuti. Ndaj, thirrja ime ndaj çdo  numëruesi dhe çdo komisioneri është vazhdoni punën sipas ligjit  me përgjegjësi, me seriozitet.

Vullneti i popullit është në ato kuti, numërimi do të bëhet në mënyrë strikte dhe rigoroze sipas ligjit dhe unë jam i bindur që ashtu siç janë kthyer në ato që i konsideronin bastionet e tyre ashtu në fund të këtij numërimi ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë. Fitorja e Aleancës për Ndryshim është e padiskutueshme, fitorja e Shqipërisë do t’i takojë do shqiptari.

/abcnews.al/