Basha flet pas takimit me Escobar: Do dëgjoni prej tij në lidhje me shpalljen non-grata të Berishës

schedule13:03 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 13:03 - 9 Dhjetor, 2021

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan Gabriel Escobar jashtë selisë së Partisë Demokratike. Basha u pyet nga gazetarët në lidhje me bërjen publike të gjetjeve për shpalljen non grata të Berishës, ku tha se vetë Escobar do të flasë për qëndrimet e DASH. Basha deklaroi se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe situata politike në Shqipëri dhe ajo në rajon, veçanërisht që kanë lidhje me Kosovën.

“Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”, deklaroi Basha.

Basha përmendi iniciativat e PD në luftën kundër korrupsionit ku veçoi edhe nismën e fundit për vettingun e politikanëve. Basha deklaroi se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe situata politike në Shqipëri dhe ajo në rajon, veçanërisht që kanë lidhje me Kosovën.

“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot në ditën ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, përfaqësuesin e Lartë të shteteve të Bashkuara të Amerikës zotin Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe më shumë interes Kombëtar i Shqipërisë. Është ajo për të cilën Partia Demokratike, ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite. Që nga iniciativat tona për dekriminalizimin e politikës, tek miratimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi sipas përcaktimeve të Venecias, me insistimin e Partisë Demokratike, tek ligji për SPAK-un dhe BKH-në, po kështu të miratuara me iniciativën dhe ndryshimet Kushtetuese dhe ligjore të Partisë Demokratike dhe mbështetjen amerikane, tek iniciativa jonë për Vettingun e politikanëve për të pastruar politikën nga krimi i organizuar, të gjitha këto dëshmojnë se Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit, që është kyçi për zgjidhjen e gjithë problemeve që ka Shqipëria sot.

Nga demokracia e plagosur rëndë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, tek sundimi i ligjit dhe dhënia fund të pandëshkueshmërisë dhe siç e kemi parë tashmë me një hap të shpallur, siç është ai i sanksioneve siç edhe ai ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin politikanët e korruptuar në Kosovë, edhe sa i përket pra midis politikanëve të korruptuar, oligarkëve dhe krimit të organizuar. Prioritetet e Partisë Demokratike kanë qenë këto, betejat e Partisë Demokratike kanë qenë këto dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme që të shohim një rikthim të fuqishëm si prioritet të parë dhe kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan dhe në Shqipëri, të një beteje që e kemi luftuar për vite me radhë.

Me zotin Escobar, diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptarë, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Ku ia bëra të qartë zotit Escobar, qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës Ahtisari që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’iu raportoj se në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar.

Diskutuam padiskutim edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar. Natyrisht ku e dini që këtu Partia Demokratike ka disa iniciativa kushtetuese dhe ligjore duke përfshirë vettingun e politikanëve dhe shumë shpejt ashpërsimin e dënimit të politikanëve të zgjedhur me votat e krimit si një hap i parë për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, deklaroi Basha. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!