Basha: “Buxheti, prova ligjore e pastrimit të parave të drogës”

schedule16:23 - 13 Nëntor, 2017

schedule 16:23 - 13 Nëntor, 2017

Vota e Partisë Demokratike kundër buxhetit është e padiskutueshme.

Por në një deklaratë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar kreu i opozitës dha një argument unik në historinë e këtyre 27 viteve se pse ky buxhet duhet refuzuar.
Thirrja e tij u drejtohet organeve të zbatimit të ligjit dhe shërbimeve partnere.

“Projekt-buxheti i 2018-s jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës.
Një gjë është e sigurt, për këdo që ka bërë hesape që përmes këtij projekt-buxheti të nisë pastrimin e parave të drogës, të mendojë mirë. Themelet e kësaj ngrehine, sapo kanë filluar të shkunden. Nuk do të lejojë as Europa, as opozita shqiptare, as shqiptarët e ndershëm që të vazhdojë varfërimi i tyre me këtë projekt-buxhet, ndërkohë që vazhdon pasurimi i oligarkëve dhe i baronëve të drogës”.

Një element themelor sipas Bashës, që e bën të dukshëm favorizimin e biznesve të luksit, që pastrojnë para, është vendosja e TVSH-së tek biznesi i vogël. Një shembull që sjell kreu i opozitës është ky:

“Biznesi që fërgon, skuq peshqit në zgarë, nëqoftëse bën xhiron 2,1 milionë do të paguajë TVSH. Ndërsa Klement Balilaj, Santa Quaranta dhe dhjetëra Santa Quaranta që do të ndërtohen nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me pesë yje, për dhjetë vjet nuk do të paguajnë tatim fitimin dhe TVSH do e paguajnë 6 %.
Nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me 5 yjë për 10 vjet nuk do të paguajnë tatim-fitimi dhe TVSH-në do e paguajë 6%”.

Projekt 1 miliard euro koncensione është po ashtu sipas Bashës, në funksion të pastrimit të parave të drogës.

“Projekti 1 miliard euro i koncesioneve nuk është gjë tjetër veçse pastrimi i parave tanimë jo vetëm në ekonominë private, por edhe në ekonominë publike, që do të thotë tendera të rrugëve, shkollave, spitaleve, tashmë do të jenë koncesione, ku do të pastrohen paratë e drogës, pa tender, pa konkurrencë, pa transparencë, do t’i jepen disa kompanive, të cilat ose vetë ose përmes marrëdhënieve të nëndheshme, do të pastrojnë paratë e drogës. Marrim një shembull. 14 shkolla të Tiranës, 60 milionë Euro, është një buxhet i tejfryrë. Me 60 milionë Euro, mund të ndërtosh 30 shkolla. Mund të ndërtoheshin minimalisht 25 shkolla të mira. Përse ndërtohen vetëm 14?”

Për demokratët krimi i organizuar në Shqipëri ka kaluar në një stad tjetër; nga kultivimi tek trafiku i kokainës dhe kapja e ekonomisë.

“Fusha e parë që konfirmohet edhe sot nga raportet e BE, është trafiku i heroinës dhe kokainës dhe fusha e dytë më e rrezikshmja për shqiptarët, është kafshimi i ekonomisë publike dhe private të shqiptarëve. Që do të thotë se krimi po zhvendoset në sheshet e ndërtimit në mes të Tiranës, po zhvendoset në bankat e Shqipërisë , pra në sistemin financiar të Shqipërisë” .

Ndaj dhe në buxhetin e 2018-s, sipas tij, janë harruar të gjitha kategoritë shoqërore dhe është rrënues për shtresën e vafër e të mesme.

“Më pak para për shtresat në nevojë, në ndihmë ekonomike, më pak para për pensionistët, për buxhetorët. Rritja e rrogave do të jetë minimale, nuk do të plotësojë dot as indeksimin për inflacionin. Më pak para për fermerët, për biznesin e vogël dhe të mesëm, për investimet, për shëndetësinë”./abcnews.al

 

https://youtu.be/9VTpMdSrX70

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!