Basha: Buxheti 2019, vjedhje me ligj

schedule18:29 - 3 Dhjetor, 2018

schedule 18:29 - 3 Dhjetor, 2018

Pas miratimit të buxhetit 2019 vetëm me votat e mazhorancës, Lulzim Basha në një konferencë për media listoi edhe njëherë arsyet përse PD e konsideron “vjedhje me ligj” atë që parashikon ky buxhet.

Opozitarizmin ndaj miratimit të buxhetit 2019 Partia Demokratike e bëri nga selia.

“Është një buxhet që legjitimon zhvatjen dhe grabitjen e taksave të 97% të shqiptarëve dhe pasuron një grusht oligarkësh dhe një grusht qeveritarësh”, tha Basha.

1.9 miliardë euro më shumë kanë dalë nga xhepat e shqiptarëve në 5 vitet e qeverisjes së Rilindasve, thekson kryedemokrati, sipas të cilit këto para jo vetëm nuk kanë shtuar investimet apo rritur ekonominë, por kanë rritur borxhin dhe pasuruar klientët e qeverisë.

“Borxhi i Republikës se Shqipërisë arrin në 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. 110 milionë euro ka ndarë buxheti i shtetit vetëm për të paguar oligarkët vitin e ardhshëm. Dhe duke filluar nga viti pasardhës mesatarisht 160 milionë çdo vit”, u shpreh kreu i PD-së.

Për të ilustruar çfarë pretendon, disa shifra.

“Periudha janar – nëntor 2018 – 13.568 biznese kanë falimentuar mesatarisht 41 biznese në ditë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar sot është 60% më shumë. Për pajsije zyrash, makina, rikostruksione shikojeni shifrën 18 milionë dollarë = 9700 pensione vjetore në qytet, 17.100 pensione në fshat, 28.700 familje në nevojë që do duhet të paguheshin në një vit”, tha Basha.

Për këtë krizë me të cilët po përballet vendi, demokratët kanë një zgjidhje, thekson Basha.

“Alternativa jonë është ajo e taksës së sheshtë 9 përqind. Ne kemi një alternativë poër biznesin e vogël. Kufiri minimal prej 12 milion lekësh të reja në vit. Heqjen e TVSH-së. Vendosjen e pullës fiskale në mjediset e jashtme të biznesit dhe vendosjen e një tavani mbi të cilat nuk mund të ngrihen taksat e pushtetit vendor. Eleminimi i menjëhershëm i taksës së qarkullimit. Rikthimi i fashave mbrojtëse për energjinë. Po kështu fasha e një çmimi konkurrues edhe për sipërmarrësit. Anulimi i të gjitha kontratave koncesionare”, theksoi ai.

Në fund një thirrje qytetarëve.

“Ju kërkoj të harroni ngjyrat. Kjo është betejë për ekzsistencën e këtij vendi, këtij populli kundër një grupi shushunjash që do vjedhë gjithçka edhe me ligj”, u shpreh Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!