Kryetari i PD Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë në Kuvend duke thënë se gjatë pandemisë një nga bosët e drogës ka prenotuar një kat në një nga kullat më të larta të ndërtuara në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në Kuvend Basha akuzoi kryeministrin Rama, për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe oligarkët në lidhje me ndërtimin e kullë 50-katëshe në Tiranë, ku sipas tij ka prenotuar bosi i drogës.
“Pavarësisht se janë harxhuar shumë para dhe kohë televizive për gënjeshtra dhe reklamë, disa fakte nuk shlyen dot, kur njerëzit çohen në mëngjes në çadra apo në banesat e familjarëve apo banesa me qira. Janë akoma larg pallateve të rrafshuara në Kombinat, ku zona që do të shpronësohej nuk është shpronësuar. Hajdutët e fatkeqësisë kanë bërë gati planin ku aty ku rrafshuan pallatet, dhe iu kanë zhvatur lekët shqiptarëve.
Kështu që nëse ka diçka për të mbajtur duart në hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë. E regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partine dhe të parin që krekoset mbi këtë pleh që nuk ka lidhje me demokracinë dhe aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë. Ka lidhje me babëzinë për pushtet, për para që iu ka zënë sytë. Kjo babëzi nuk ju pengoi që ndërkohë që COVID ju ka penguar që të ngriti shtëpinë të ngrinit godinën 50 katëshe me bosët e kokainës. Ti duhet ta dish se kush bos kokaine ka rezervuar një kat në atë godinë. Mund të shpiket ndonjë parfum si gropa e Ajdin Sejdisë. Ti që na flet për të bukurës, për shijen për aromën e PD. Shkrimtari më i madh e ka quajtur PD, partia e shijes. Ti që ankohesh kur nuk ke gjetur gjendjen sanitare që të akuzon pasardhësi yt. Gropën e mbylla unë dhe shndërrova në lulishte. Kurse paraardhësi yt do të bëjë dhe aty kulla, nga paratë e drogës.”, tha Basha.
Në kundërargumentin e tij Basha theksoi se rindërtimi u vonua me justifikimin e Covidit, ndërkohë që kulla më e lartë 50-katëshe vijoi të ngrihej pandërprerje në Tiranë. Në këtë ndertesë Basha tha se partnerët ndërkombëtarë kanë sjellë informacione se ka rezervuar një kat të tërë një bos i trafikut të kokainës.
Kjo përgjigje e ashpër e Bashës ka ardhur pasi kryeministrit Edi Rama tha se ndërtimi i shtëpive të qytetarëve të prekur nga tërmeti nuk u përfundua sipas parashikimeve paraprake, pasi ndikuan dhe vonesat e pandemisë, ndërsa shigjetoi dhe opozitën. Nga foltorja e Kuvendit Basha akuzoi Ramën se për 11 vite la të hapur një gropë në qendër të Tiranës që kundërmonte erë të keqe.
“Ndryshimi mes nesh dhe jush është se juve sytë ju janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat, nga shëmtia, nga deformimi, se ndryshe nuk do të ishit krenarë pa kthim për gjithë masakrën urbane, që keni lejuar dhe keni promovuar si një mrekulli të tetë të botës në Shqipëri. Nuk do të ishit krenarë. Në kohën kur ju qeverisnit, duhej dalë me duar në hundë e në sy për të mos parë e për të mos marrë erë“, tha Rama. /be.k-abcnews.al