Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e degës 14 në Tiranë. Kryedemokrati sulmoi edhe njëherë Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Sipas Bashës tashmë ata kanë dalë hapur se janë bashkë, ndërsa i quajti mbetje të tranzicionit 30-vjeçar.
Duke iu referuar krizës së thellë, Basha u shpreh i bindur se demokratët janë të bashkuar për opozitarizëm pa kompromis kundër Edi Ramës dhe për vlerat euroatlantike. Basha tha se Berisha mashtroi demokratët për të dorëzuar partinë te Meta.
“Dy gjëra na kanë bashkuar dhe na kanë thirrur në këtë betejë, bashkë me gjithë shoqërinë shqiptare; opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike! Rreth këtyre vlerave na janë bashkuar dhe të tjerë, edhe njerëz që jo domosdoshmërisht fillimisht e kanë parë shpresën tek partia demokratike. Sot po bashkohen edhe më shumë! Pas vendimeve tona të kuvendit, pas vendimit tonë të kuvendit ; “Zgjedhim të ardhmen!”, shumica dërrmuese e shqiptarëve, ka një shpresë, dhe iu siguroj se ajo shpresë nuk janë tre kalorësit e apokalipsit. Nuk janë mbetjet e të shkuarës, nuk janë treshja e tranzicionit, që do ta mbajë Shqipërinë peng, por është partia demokratike. Jemi ne! Jeni ju! Është rinia! Dhe prapëseprapë, edhe ata demokratë, shumë prej të cilëve sot më kanë shkruajtur mua dhe jam i sigurt iu kanë shkruajtur dhe shumë prej jush, disa prej tyre i kanë shkruajtur publikisht në facebook, kritikë të rreptë të mi është ta them butë, kritikë të egër, dhe i shkruajnë;” Sali Berisha na paske mashtruar!”. “Gjithë betejën e paske bërë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës!” Kurrë! Partia demokratike është e demokratëve! Partia demokratike është e sakrificës së demokratëve! Partia demokratike është e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar!”, tha ai.
Kreu i demokratëve shtoi më tej se PD do të jetë një parti e bashkuar rreth vlerave, jo rreth kultit të individit. Përpara demokratëve, ai tha se është i fortë për të ta çuar betejën deri në fund.
“Një parti e bashkuar rreth vlerave, jo rreth kultit të individit jo rreth një njeriu e bashkuar jo për interesa personale askush prej jush këtu nuk ka ardhur për interesa personale, të gjithë jemi bashkë sepse bashkë na bën forca dhe vendosmëria që kemi se mund ti dilni për zot dhe do ti dilni për zot Qesarakës, Dajtit, Shëngjergjit, Zall-Herrit, Zall-Bastarit, Shkozës, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, po apo jo? PO! Dhe mos harxhoni asnjë sekondë duke pyetur kryetarin apo deputeten apo sekretarin si është kryetari? Ja ku e keni kryetarin, më keni të fortë, më keni të vendos për ta çuar betejën deri në fund. Të fort dhe të vendosur ju dhe ju se kështu në krahë të njëri tjetrit do ta çojmë betejën deri në fund. Do ti japim Shqiptarëve çlirimin e miratuar nga treshja e tranzicionit, do t’i japim Shqiptarëve ëndrrat për një Shqipëri normale ku të rrisë fëmijët e tyre. Faleminderit e zoti ju ruajt dhe ju bekoftë ju dhe familjet tuaja”, tha Basha. g.v/abcnews.al



