Basha: 30 Qershori nuk refuzoi vetëm Ramën

schedule12:45 - 6 Gusht, 2019

schedule 12:45 - 6 Gusht, 2019

Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi në Patos se 1/3 e socialistëve refuzuan më 30 Qershor qeverisjen hajdute dhe kriminale të Edi Ramës. Zoti Basha iu referua shembullit të Bashkisë së Patosit, ku pjesëmarrja në votime ishte e ulët.

“Shqiptarët u vetëdijësuan se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan! Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj, bëhet me synimin për të vjedhur shqiptarët. Këtë verë kanë planifikuar vjedhjen e radhës me uniformat e policisë ku kanë dyfishuar çmimin. Ndërkohë, po bëjnë gati koncesionin për të marrë 100 euro nga çdo biznes, edhe pse e kanë këputur biznesin me taksa, me gjoba, me çmimin e naftës dhe me çmimin e energjisë.
Ndaj, kupa e mbushur dhe e derdhur prej hajdutërisë dhe varfërisë, solli reagimin popullor më 30 qershor.  Kurrë më parë nuk kemi pasur një bashkim të tillë ku 85 % e shqiptarëve iu përgjigen thirrjes tonë dhe refuzuan farsën, refuzuan Ramën.  Por brenda këtij refuzimi popullor, ka edhe një lajm tjetër shumë të madh.  30 qershori nuk është vetëm refuzimi i Edi Ramës, nuk është thjesht një kryengritje ndaj mjerimit ekonomik që ai ka mbjellë, papunësisë, varfërisë. Është edhe një thirrje popullore për ndryshim. Dhe kjo thirrje i drejtohet të vetmit faktor politik që ka kapacitetet, burimet njerëzore, vizionin dhe planin për ta bërë këtë ndryshim të mundur, që është Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar! #ShqiperiasiEuropa”.