Presidenti Ilir Meta priti sot ne mëngjes në zyrën e tij në Presidencë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili iu përgjigj ftesës së bërë mbrëmë nga kreu i shtetit për t’u takuar mbi zgjidhjen e krizës politike në vend, kur kanë mbetur edhe 3 ditë nga zgjedhjet vendore.
Lulzim Basha mbërriti në Presidencë në orën 9: 00 siç kishte njoftuar mbrëmë pas ftesës së Metës dhe takimi me kreun e shtetit zgjati rreth 20 minuta. Pas këtij takimi me dyer të mbyllura, kreu demokrat është larguar nga presidenca pa bërë asnjë deklaratë për mediat.
Ndërsa kryeministri Rama iu përgjigj mbrëmë kreut te shtetit se për shkak të angazhimeve në fushatë nuk ka kohë për një takim të tillë gjatë ditës se sotme.
Presidenca bëri të ditur ndërkohë se zoti Meta do të jetë në zyrën e tij nga ora 5: 00 deri në orën 13 : 00, duke i lënë mundësi kreut të maxhorancës, të shkojë në këtë takim, kur të gjejë kohën e përshtatshme.
Mësohet se në zyrën e kreut te shtetit pritet të ketë sot edhe vizita të tjera. Presidenti do të takojë gjatë paradites edhe drejtuesit e partive aleate të PD. Sipas burimeve, në takimin me Bashën por edhe me aleatet e tij, kreu i shtetit ka si temë diskutimi një datë të re të zgjedhjeve vendore që pritet të dekretohet prej tij./ABC News Albania 24/7