Barnat e rimbursueshme, mungesat do evidentohen pas kontratave

schedule17:50 - 8 Maj, 2018

schedule 17:50 - 8 Maj, 2018

Lista e re e barnave të rimbursueshme, që ka nisur të aplikohet, përmban 36 barna të reja dhe prej saj, sipas drejtorit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor përfitojnë 475 mijë qytetarë. Mungesat në treg do të evidentohen pas lidhjes së kontratave me importuesit, që maksimumi, sipas tij, do të zgjasë dy javë.

Të paktën për dy javë në farmaci do të ketë mungesa të ilaçeve nga lista e barnave me rimbursim. Me lidhjen e kontratave mes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe importuesve të medikamenteve, sipas drejtuesit të tij, mund të evidentohen edhe nevojat në treg.

“Fondi, aktualisht nëpërmjet drejtorive tona rajonale është i angazhuar që të lidhë kontratat. Dhe me përfundimin e procesit, sidomos me importuesit farmaceutikë bëhet e mundur evidentimi i saktë i alternativave me të cilat furnizohet tregu farmaceutik. Këtu dalin edhe nevojat eventuale apo mungesa që mund të jenë. Unë shpresoj shumë që të mbyllet para afatit dhe afati është dy  javë”.

Reagimi i Drejtorit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vjen një ditë pasi Urdhëri i Farmacistit u shpreh për mungesën e 9 barnave, alternativa të para apo të vetme.

Një tjetër shqetësim i farmacistëve ishte edhe blerja e ilaçeve të caktuar me çmimin e listës së mëparshme dhe tregtimin me çmimin e ri, gjë që sipas tyre, mund të sjellë përballjen me qytetarët.

Kjo, sipas drejtorit, të Fondit nuk do të ndodhë.

“Çdo aktor në këtë fushë janë të detyruar të zbatojnë çmimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave”.

Lista e re e barnave të rimbursueshme që ka nisur të aplikohet përmban 36 barna të reja, 1175 alternativa tregtare dhe prej saj, sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përfitojnë 475 mijë qytetarë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!