Bardhi në Abc News: Kreu i SPAK i tha ‘JO’ brenda 30 minutash dosjes 184, po i shërben Ramës

schedule18:17 - 29 Janar, 2020

schedule 18:17 - 29 Janar, 2020

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ftuar pasditen e sotme në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo, foli për vendimin më të fundit të SPAK-ut për të mos hetuar dosjen e shit-blerjes së votave në Dibër (dosja 184). Bardhi tha se me këtë vendim kreu i SPAK, Arben Kraja tregon se po i shërben Edi Ramës. Ai tha se për 30 vite asnjë zyrtar i lartë  nuk është ndëshkuar për krimet elektorale. 

 Endri Xhafo: U ulët në tryezë me Gjiknurin, është komentuar shumë kjo kthesë e PD-së

Gazment Bardhi: Më duhet të sqaroj histerinë e pakuptimtë se kush përfaqëson PS-në në tryezën politike, PD-ja nuk ka pasur asnjë kusht nëse ulet në tryezë me Gjiknurin, Pjerin Ndreun apo Ulsi Manjën, sepse askush nuk beson se ata që dolën në përgjimet e BILD, pjesë e dosjes 184 kanë vepruar pa një mbështetje të kokës së partisë së tyre që është Edi Rama. Pra për ne, Gjiknuri konsiderohet sikur të jetë vetë Edi Rama. Ky lloj përfaqësimi në tryezën e reformës është turp për PS-në.

 Endri Xhafo: SPAK mori vendim të mos e hetojë dosjen 184, duke e lënë në Dibër. Ju e keni shprehur qendrimin publik por desha të di e keni humbur besimin tek kjo strukturë apo kreu i saj, Arben Kraja?

Gazment Bardhi: Ne kemi dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për ngritjen e kësaj strukture dhe kemi kërkuar rrugën e integritetit të SPAK, por nga dje u mësua se Arben Kraja është dërguar atje për ti shërbyer mbylljes së dosjeve të korrupsionit qeveritar. Dosja 184 është voluminoze janë me orë të tëra përgjime, shumë më shumë se c’ka nxjerr Bild. Ai nuk e heton këtë dosje, ku kanë përgjegjësi penale zyrtarët e lartë. Brenda 30 minutash thotë se nuk e hetojmë duhet ta hetojë prokuroria e Dibrës. Çdo jurist e di si duhet të paktën një periudhë 2-3 javore për të shqyrtuar materialet, por ai refuzon ta marrë në shqyrtim. Arben Kraja i SPAK ka vendosur ta varrosë dosjen që do të çonte në burg zyrtarët e lartë të PS-së. Prokuroria e Dibrës, ku ka ngecur tashmë kjo dosje nuk merr dot vendim për të ngarkuar me përgjegjësi penale Ulsi Manjën, Pjerin Ndreun që janë zyrtarë të lartë dhe jo zyrtarë lokal të Dibrës.

Në dosjen 184 janë implikuar deputetë, ish-ministra dhe ata janë automatikisht kompetencë e SPAK. Kam bindjen se prokuroria e Dibrës jo vetëm s’ka kompetencë por as kapacitete për ta hetuar këtë dosje.

Shqiptarët kanë parë Pjerin Ndreun të kërcënojë mësuesit për votat. Me dy veprime hetimore, sot Pjerin Ndreu duhet të ishte në burg dhe jo kryebashkiak i paligjshëm në Lezhë. SPAK do të duhej të merrte dëshminë e drejtorit të arsimit Dibër dhe të drejtorit të Dibrës si dhe tabulatet telefonike për të çuar pas hekurave Ndreun.

Por Arben Kraja nuk e hap dosjen fare, edhe pse ka ekzaktësisht për detyrë të hetojë zyrtarët e lartë publik.

Endri Xhafo: Ambasadores së re amerikane do t’i trokisni në derë për ti thënë se nuk po funksionin reforma në drejtësi?

Gazment Bardhi: Pa asnjë diskutim, ne informojmë partneret tanë ndërkombëtar për çdo problem që hasim për zbatimin e reformës në drejtësi. Por duhet kuptuar se askush nuk mban përgjegjësi përveç insitucioneve shqiptare. Kujt i duhet në vitin 2020 të zgjidhet në krye të SPAK Arben Kraja me të shkuar të kontestuar si hetues në komunizem. A nuk ka njerëz të shkolluar në SHBA apo vende të tjera për tu vendosur në krye të institucioneve të pavarura.

Endri Xhafo: E keni humbur shpresen tek SPAK?

Gazment Bardhi: Unë nuk i humb shpresat për një rast, por është vënë në diskutim integriteti i këtij institucioni. Kujtojmë se me ndërhyrjen e SHBA-së kemi rënë dakord, mund të themi se është i vetmi ligj i miratuar me dakordësi të plotë mes mazhorancës dhe opozitës, kësisoj SPAK ka për detyrë që të hetojë dhe të çojë pas hekurave zyrtarë të lartë për korrupsion, blerje votash etj. që historia të mos përsëritet. Në 30 vite nuk ka asnjë i dënuar për krime elektorale, nëse nuk ndëshkohen krimet nuk arrihet të parandalohen.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!