Janë mjeshtra kur vjen puna për kampionatin. Yjet e Barcelonës mund të bëjnë gabime pas gabimesh në Champions, por La Liga është ambienti I tyre natyral dhe ja ku po i afrohen një tjetër titulli.
Kështu ka qenë kur fanelën blaugrana e mbante veshur Lionel Mesi, kështu është edhe tani, dhe titulli është thuajse në xhep. Fitorja 2-0 në fushën e Getafes bëri që diferenca me Realin e vendit të dytë të arrijë në 11 pikë, ndërsa deri në fund në dispozicion janë vetëm edhe 15 pikë.
Në një sfidë të dominuar, edhe pse jashtë fushe, e pavarësisht mungesave, katalanasit ia dolën falë golave të shënuar nga Fermin Lopez në fund të pjesës së parë dhe Markus Rashford, 14 minuta përpara fundit.
Në fushë nuk ishin ylli kryesor, Lamin Jamal, që e ka mbyllur sezonin dhe është në garë me kohën për të qenë në Kupën e Botës, ashtu si edhe braziliani tepër I rëndësishëm, Rafinja.
Të dy të dëmtuar. Skuadra e trajnerit Hansi Flik pati epërsi me 74 për qind mbajtje topi, ndërsa Getafe bëri vetëm një gjuajtje në kuadrat.
Dhuratat “madrilene” vazhdojnë, ndërsa Barca kryeson La Ligën me 85 pikë ndaj 74 të rivalit të përjetshëm. Championsi mund të presë, dhe për momentin le të festohet titulli kampion, praktikisht I fituar.


