Barcelona dëshiron të fitojë të gjithë trofetë e sezonit. Lionel Mesi deklaron ambiciet e skuadrës, pas përmbysjes ndaj Sevijes në Kupën e Mbretit
Tani u fshi çdo dyshim. Pavarësisht zgjedhjeve të trajnerit Ernesto Valverde, Barcelona nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë kompeticion të sezonit. Humbja e çerekfinales së parë, 0-2 në Sevilje, u zhduk me një “remontada” 6-1, ku në formacion ishin kthyer Mesi e Suarezi.
“Njerëzit kishin nisur të thoshin se ne nuk e dëshironim kupën këtë vit, – tha Mesi, me një vërejtje, – këtu tek Barcelona, ne luftojmë gjithnjë, për gjithçka. Vërtet që synimi ynë kryesor është Championsi, por kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga të tjerat”. Mediat spanjolle nuk ngurruan të theksonin se ky ishte një mesazh për Realin, se katalanasit nuk do t’ia bëjnë “autostradë” në Kupën e Mbretit, për t’u përqëndruar në La Liga dhe në Champions.
Gazetat katalanase, sidomos, ishin në delir. “El Mundo Deportivo”: Ole! Mesi dhe Suarezi vrasin Seviljen! Në një tjetër natë magjike, Barça firmos një tjetër përmbysje të madhe, dhe arrin në gjysmëfinale të Kupës për herë të 9-të radhazi!
“Sport”: Këtu është kampioni! Mesi: Këtu nuk heqim dorë nga asgjë, ishte një ndeshje e madhe! Pozitat e “blaugranëve” janë shumë të mira, për momentin, pesë pikë përpara në kampionat, në gjysmëfinale të Kupës, dhe në garë për Championsin, pa asnjë humbje deri tani. Gjithsesi, pati një ndihmë nga gjyqtari, që dha penallti të paqenë për golin e parë. Ndaj Seviljes në “Kamp Nou” ishte edhe ndeshja e Kutinjos, që më në fund shkëlqeu dhe shënoi dy gola.
Ishte edhe ndeshja kur më shumë se kurrë brazilianin Artur e krahasuan me Ksavin, ndërsa mungesa e Dembelesë nuk u ndje. Ishte edhe ndeshja kur Barça tregoi se di të luajë “tiki-taka”, siç ndodhi në rastin e golit të gjashtë, shënuar pikërisht nga Mesi. Argjentinasi ka tani 579 gola me Barcelonën, që kur u bashkua me ekipin e parë, duke qenë vetëm 11 rrjeta prapa Kristiano Ronaldos./abcnews.al