Skuadra e Barcelonës ka ofruar 100 milionë euro plus shërbimet e mesfushorit Kutinjo për të arritur tek Nejmar. Katalanasit janë favoritë për të nënshkruar me 27-vjeçarin Brazilian.
Jo vetëm Real Madridi, por edhe Barcelona ka thurur strategjinë për të nënshkruar me brazilianin Neymar. Mediat spanjolle raportojnë se drejtuesit e skuadrës katalanase janë të gatshëm të ofrojnë 100 mln euro plus shërbimet e mesfushorit Kutinjo për të rikthyer në Kamp Nou 27 vjeçarin. Barcelona shpenzoi plot 160 mln euro për Kutinjon i cili nuk ka mbushur pritshmëritë gjatë dy sezoneve tek katalanasit. Drejtuesit e skuadrës së Paris Saint Germain mund të pranojnë ofertën e blaugranave. Kutinjo pëlqehet shumë nga Presidenti i skuadrës së Paris Saint Germain, AL Khelaifi. Mesfushori brazilian i ka dyert e hapura në Francë ku i garantohet vendi i titullarit, ndryshe nga çfarë paraqitet situata tek Barcelona, ku ish lojtari i Liverpool aktivizohet minimalisht. Raportet mes Neymar dhe drejtuesve të PSG janë krisur dhe largimi nga Park De Prince bëhet më i lehtë. Barcelona është në pritje të zhvillimeve të reja rreth Neymar dhe kjo mendohet të jetë arsyeja që bisedat nuk kanë avancuar me Antuan Grizman, i cili qëndron në pritje të ofertës konkrete. Në Barcelonë Neymar është i mirëpritur dhe këtë e kanë shfaqur hapur drejtuesit por edhe Lionel Messi.
Dy sezonet e fundit katalanasit kanë vuajtur në fazën sulmuese dhe Neymar do të plotësonte hapësirat e lëna bosh, pikërisht që prej largimit të tij dy vite më parë.
Katalanasit duhet të bëjnë kujdes pasi edhe Real Madrid ofron shifra të çmendura për yllin Brazilian. Presidenti i madrilenëve Florentino Perez i ka ofruar Al Khelaifit 130 mln euro plus shërbimet e njërit mes Bale dhe James Rodriguez. /ABC news Albania 24/7