Barcelona merr Arturo Vidalin për 25 milionë euro

schedule16:31 - 3 Gusht, 2018

schedule 16:31 - 3 Gusht, 2018

Barcelona është përforcuar me një tjetër emër të rëndësishëm. Nga Bajerni, mbërrin mesfushori i Kilit, Arturo Vidal.

Nuk ishte zgjedhja e parë, por nuk mund të refuzohej.

Barcelona është thuajse e sigurt për marrjen e Arturo Vidalit nga Bajerni, mesfushorin kilen që ish-trajneri i Çelsit, Antonio Konte, e cilësonte një “luftëtar”.

Konte kishte besim për të shkuar deri në fund të botës me Vidalin, dhe këtë besim duket se do ta kenë edhe tek Barcelona, trajneri Valverde, apo yjet si Lionel Mesi, Luis Suarez apo Gerard Pike.

Katalanasit kanë bindur futbollistin 31-vjeçar me një kontratë për 4 sezone dhe me një rrogë prej 4.5 milionë eurosh në edicion.

Bajerni, po ashtu është bindur, me një ofertë që shkon nga 25 deri në 30 milionë euro, në varësi të sukseseve të Vidalit në “Kamp Nou”.

Vidal pritej të shkonte tek Interi, por ndryshoi mendje pasi klubi italian I ofronte vetëm 3 vite kontratë.

Gjithsesi, për të nuk do të jetë e lehtë të bindë, pasi tifozët prisnin Tiago Alkantarën apo Adrien Rabionë nga Paris SG, të cilët nuk erdhën.

Barça ka shpenzuar 100 milionë euro këtë verë, pa llogaritur Vidalin, dhe në ekip kanë mbërritur mbrojtësi francez Lengle, si dhe dyshja braziliane Artur e Malkolm.

Katalanasit, kampionë të Spanjës dhe fitues të Kupës së Mbretit, duket se e kanë mbuluar mirë largimin e Andres Iniestës, ndërsa nën udhëheqjen e Lionel Mesit synojnë të fitojnë jo vetëm në Spanjë, por edhe Championsin. /abcnews.al