Barcelona nuk duket plotësisht e kënaqur me potencialin e saj. Klubi katalanas duket se do të ketë përforcime të reja në janar të vitit të ardhshëm.
Skuadra që fiton nuk ndryshohet.
Kjo është aksioma e futbollit, por nuk vlen edhe aq në nivelet më të larta, dhe kështu po mendon edhe Barcelona.
Edhe pse kryeson bindshëm La Ligën, sërish planet janë të domosdoshme për klubin katalanas.
Trajneri Ernesto Valverde dhe presidenti Bartomeu po mendojnë për fazën e dytë të sezonit për lojtarët e rinj që mund të kenë në dispozicion, dhe për ata që mund të largohen.
“Blerje” mund të quhen Usman Dembele dhe Rafinja, ata që Barça i ka, por që nuk i ka pasur për shkak dëmtimi.
Sidomos kthimi i Dembelesë do ta bëjë të mendohet trajnerin Valverde pasi duhet ta përshtasë në skemat e tij, pra në 4-4-2 apo 4-3-3.
Blerje të vërteta kërkohen për një lojtar të talentuar që të jetë alternativë për Mesin dhe Iniestën, si dhe një mbrojtës qendre.
Kutinjo duket i pamundur, sipas mediave spanjolle, dhe kjo jo thjesht për çmimin prej mbi 130 milionë euro, por edhe për faktin se Liverpuli nuk duket shumë I gatshëm për t’u marrë vesh.
Kjo ka bërë që të mendohet për fantazistë të tjerë si Ozil, Fekir, Majer, Gorecka apo Golovin.
Mbrojtësi i qendrës duhet pasi mund të largohet Maskerano, por nuk duhet të jetë shumë i shtrenjtë.
Largime të tjera mund të jenë Arda Turan, që nuk po përshtatet me Valverden, Aleish Vidal ose Deulofeu./abcnews.al
Gazetar i ABC News: Bledar Kuka