Barcelona gati të paguajë 150 mln për Kutinjon

schedule13:37 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 13:37 - 20 Dhjetor, 2017

Barcelona është gati të bëjë shpenzime të mëdha për t’u përforcuar në janar. Në listën e dëshirave janë braziliani Kutinjo dhe francezi Grizman

Dashuria e vjetër nuk harrohet.

Filip Kutinjo ishte objektivi i madh i Barcelonës gjatë verës, dhe duket se ai do të jetë sërish i tillë edhe në janar.

Ylli i Liverpulit, një nga lojtarët ofensivë më të mirë të botës, është dëshirë absolute e klubit katalanas, edhe pse do të duhet një shifër tepër e madhe, si dhe shumë fat, për ta marrë.

Mediat spanjolle dhe britanike njoftojnë se Barça është gati të paguajë 150 milionë euro për kartonin e brazilianit, një shifër që I afrohet asaj që u shpenzua për të marrë Usman Dembelenë nga Dortmundi, dhe që ishte gati 155 milionë.

Gjatë verës, katalanasit bënë tri oferta dhe trajneri liverpulas, Klop, I hodhi poshtë që të treja, edhe pse e fundit prej tyre vlente 135 milionë euro.

Barcelona dëshiron ta marrë Kutinjon sa më shpejt në janar, për të shmangur konkurrencën, ndërsa futbollisti nuk e ka fshehur dëshirën që të luajë në “Kamp Nou”.

Ai është cilësuar si një nga lojtarët më të talentuar të brezit të sotëm brazilian, brez që kërkon të arrijë me kombëtare suksese të mëdhenj, si në kohën e Pelesë.

Dëshira tjetër e madhe e Barçës është Antuan Grizman.

Sulmuesi i Atletikos së Madridit vlerësohet shumë nga trajneri Valverde, ndërsa është e sigurt se për ta marrë do të duhet të paguhen 100 milionë euro, aq sa është klauzola në kontratën e francezit.

Gjithsesi, për transferimin e mundshëm kanë dalë problemi, pasi Atletiko e Madridit e ka paditur klubin katalanas në FIFA, duke e akuzuar për bisedime me Grizmanin, në shkelje të rregullave.

Kjo mund të bëjë që Barcelona të dënohet dhe që sulmuesi të shkojë tek Mançester Junajtid.

Pavarësisht nga këto vështirësi, drejtuesit katalanas janë të vendosur të forcojnë skuadrën, sidomos në fazën ofensive.

Largimi i Nejmarit është ndjerë, pavarësisht nga fitoret, golat e shumtë të shënuar dhe kryesimi i tabelës së La Ligës.

Në fund të fundit, duket se ky ka qenë kushti i vendosur nga Lionel Mesi për rinovimin e kontratës, pra që Barcelona të ketë një skuadër aq të fortë sa ta mundë Realin në konkurencë për trofetë më të mëdhenj në Spanjë dhe në Europë./abcnews.al