Ka një kontrast vërtet shumë të madh. Duket sikur këtë sezon po luajnë dy Barcelona, njëra në La Ligën e Spanjës dhe tjetra në Champions. Katalanasit janë shumë të fortë në kampionatin vendas, pavarësisht se e humbën bindshëm El Klasikon ndaj Realit, dhe vazhdojnë të mbajnë kreun e renditjes.
Sukses 5-3 në fushën e Betisit, në Sevilje, një ndeshje aspak të lehtë, por në të cilën ekipi “blaugrana” tregoi më në fund karakter dhe autoritet.
Edhe pse vendasit kaluan të parët në epërsi që në minutën e gjashtë kur shënoi Antoni, sërish Barça pati edhe lojën edhe fatin me vete.
Golat erdhën radhazi dhe heroi kryesor ishte Ferran Torres. Sulmuesi po zëvendëson legjendën Levandovski në tabelën e shënuesve, duke realizuar tri herë, në minutat 11, 13 e 40.
Në mes të golave të tij gjeti rrugën e rrjetës edhe I riu Runi Bardgji në minutën e 31-të. Serinë katalanase e përfundoi me penallti Lamin Jamal në minutën e 59-të, pra u shënuan pesë gola në më pak se një orë lojë.
Në fund, Betis reagoi dhe realizoi dy herë, por kjo vlejti vetëm për t’i dhënë pak më shumë dinjitet vetes.
E habitshme, sepse vendasit patën më shumë gjuajtje, 16 ndaj 12, madje edhe në portë, 10 ndaj 8, ndonëse miqtë e mbajtën topin 68 për qind. Barcelona ka 40 pikë në 16 javë kampionat, dhe Reali nuk e arrin dot edhe nëse fiton këtë të mbrëmje./abcnew.al

