Barcelona fiton në startin e Ligës, por nuk e kënaq trajnerin Valverde

schedule13:42 - 19 Gusht, 2018

schedule 13:42 - 19 Gusht, 2018

Barcelona arriti një shifër historike të golave në kampionatin spanjoll. Edhe pse trajneri Valverde nuk mbeti i kënaqur me lojën, skuadrës katalanase i mjaftoi sërish Lionel Mesi.

Çfarë do të ndodhte, po të mos ishte ky? Futbolli është vërtet lojë me 22 lojtarë, por shpesh zgjidhjen një ndeshjeje ia jep një i vetëm.
Këtë bëri edhe Lionel Mesi në përballjen e parë të La Ligës për Barcelonën, që doli shumë e vështirë ndaj Alaveshit. Skuadra modeste luajti ndeshjen më të mirë të mundshme, me rregull dhe disiplinë, duke neutralizuar çdo rrezik nga kampionë të tillë si Suarez, Rakitiç, Zhordi Alba, Dembele apo edhe vetë Mesin, si dhe Kutinjon në pjesën e dytë.

Kapiteni i ri “azulgrana”, gjithsesi, gjeti zgjidhen sipas mënyrës së tij, me goditje dënimi. Këmba e majtë e tij solli golin numër 6 000 të Barçës në historinë e kampionateve spanjollë, pastaj edhe golin numër 6 002. Në mes të dy rrjetave të Mesit, ishte ajo, gjithashtu shumë e bukur, e Filip Kutinjos, ndërsa katalanasit e nisën sezonin me këmbën e mbarë, edhe pse trajneri Valverde nuk mbeti i kënaqur.

“Kjo nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, – u shpreh ai, – kundërshtari u mbrojt me shumë lojtarë pranë portës së tij, dhe na e ngadalësojë lojën. E patëm të vështirë, por jemi në gusht dhe shpresoj se do të përmirësohemi. Për fat kemi Mesin, që gjithnjë mund të të habisë”.
Numri 10 gjithnjë do t’i japë kohë ekipit të tij për t’u përmirësuar, dhe do të vazhdojë t’i zgjidhë ndeshjet personalisht.
Ndërkaq, ai u bë i pari lojtar në La Liga që shënon në 15 sezone radhazi, në shekullin e XXI-të, duke pasur gjithsej 385 gola në kampionat, një rekord absolut.Leo prezantoi trofeun e Superkupës së Spanjës para tifozëve në “Kamp Nou”, duke premtuar tituj të tjerë. Përsa kohë të jetë në fushë, Barcelona mbetet favorite për të qenë kampione./abcnews.al