Gerard Pique me shumë mundësi e ka mbyllur këtë sezon dhe Barcelonës i duhet ta zëvendësojë në janar për të pasur një organikë të plotë, në mënyrë që të jetë e gatshme të luftojë në të gjitha frontet, me kalendarin, që është më i ngjeshur se kurrë.
Eric Garcia është emri më i dashur nga drejtuesit, por Manchester City duket se nuk ka ndërmend ta lëshojë deri në verën e ardhshme, kur edhe ish-katalanasit i përfundon kontrata. Në këto kushte Barcelonës i duhet të shohë për një tjetër mbrojtës “low cost”.
Shkodran Mustafi është një ndër emrat, teksa së fundmi mësohet se hapat e të dy palëve janë materializuar dhe agjenti i mbrojtësit ka zbarkuar në Barcelonë për bisedime paraprake. I pyetur nga gazetarët e SPOX, agjenti i Mustafit, Emre Öztürk u shpreh se “është në Barcelonë për shkak të Shkodran Mustafit”, lojtar të cilin ai e menaxhon prej kohësh.
Mustafi mund të tentohet menjëherë në janar për të mbuluar hapësirën e lënë bosh nga Pique, por nuk përjashtohet as një bashkim në verë me parametra zero. Barcelona për momentin ka vetëm dy qendërmbrojtës në dispozicion, që bashkë me Mingueza nga ekipi i dytë bëhen tre. /abcnews.al