Barcelona renditet në vendin e parë të kampionatit spanjoll, pas humbjes së Real Madridit në derbin ndaj Atletikos.
Nesër katalanasit do të sfidojnë në transfertë Majorkën e Vedat Muriqit në ndeshjen e vlefshme për javën e 7-të të La Liga-s. Në prag të këtij duelit, trajneri Xavi ka dalë në konferencën e zakonshme për mediat.
“Ishte një fundjavë e bukur, jemi në vendin e parë pasi humbi Real Madridi. Nuk bëmë një ndeshje të mirë, por ishte një fundjavë e lumtur, edhe për shkak të rinovimit”.
Mungesa e Pedrit: “Ai ka ndjesi të mira, të shohim sa kohë do të zgjasë. Rimëkëmbja po shkon shumë mirë dhe ne kemi alternativa, duke përfshirë Sergio Roberton, i cili është një personazh luksoz dhe Fermin, i cili është një zbulim dhe mund të jetë i rëndësishëm”.
Lufta me Realin: “Në qershor do të shohim se kush do të jetë më i mirë. Ka mijëra mendime dhe mënyra për të parë dhe kuptuar futbollin. Jam shumë i kënaqur me skuadrën time, nuk më pëlqejnë krahasimet. Kam parë derbin, ishte një ndeshje e shkëlqyer mbi të gjitha për Atletikon. Për ta është një fitore e rëndësishme”.
Një mendim për Dembele: “Sigurisht që e mbaj mend atë, por nuk i kam parë ndeshjet e PSG-së. Jam i shqetësuar për rivalët e mi në ligë dhe Champions dhe nuk e shikoj PSG-në. Nuk kam ndjenja të këqija dhe i uroj më të mirat. Por jam i lumtur me ekipin që kam”./ h.ll/abcnews.al