Tashmë është zyrtare që Ronald Koeman do të jetë trajneri i ri i Barcelonës dhe pak momente më parë ishte dhe prezantimi i tij para mediave. Holandezi foli gjatë, ku nuk harroi të falenderojë drejtuesit për mundësinë e dhënë, si dhe u ndal tek e ardhmja e Lionel Messit.
“Ky nuk është një revolucion, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e lojës si dhe të bëjmë më të mirën për klubin. Unë jam holandez dhe ne kërkojmë që ta kemi gjithmonë topin në zotërim. Mendoj se jam aq i zoti për të drejtuar Barçën.
Kam mësuar nga shumë trajnerë kur kam lujatur vetë në fushë si dhe kam mjaft eksperiencë si trajner. Synimi është të dominosh topin, të luash mirë dhe të fitosh.
“Këto kohë ka shumë komplikacione nga Covidi, por futbolli duhet shijuar dhe është një nga të paktat gjërat që i bën njerëzit e lumtur.
Messi? Ai ka një kontratë me ne dhe shpresoj që ai të vazhdojë të luajë dhe për shumë vite me ne. Unë ende nuk e kam takuar personalisht dhe ka shumë për të diskutuar për të ardhmen e tij, por edhe të lojtarëve të tjerë,” deklaroi 57-vjeçari gjatë prezantimit. /abcnews.al