Shpresa është që fatin ta kenë me vete. Nuk e fshehu supersticionin presidenti I Barcelonës, Zhoan Laporta, ndërsa skuadra e tij ishte në Pragë për ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve.
Numri 1 i klubit pati takim edhe me tifozët duke i premtuar trofe këtë sezon, e duket se njerëzit në Katalonjë e në Spanjë përmes futbollit duan të harrojnë tragjedinë hekurudhore që u ndodhi.
Skuadra “blaugrana” i ndihmoi duke fituar një ndeshje spektakolare, dhe që ishte fiks sipas traditës së këtij ekipi. Lojë e hapur, mbrojtje poroze, por sulm “bërthamor” që në fund shënoi 4 gola dhe siguroi tri pikët.
Të besuarit e trajnerit Hansi Flik duhet të bënin autokritikë në të ftohtin e tmerrshëm të Çekisë, që natën vonë arriti në -11 gradë celsius. Humbja në La Ligë ndaj Sociedadit rihapi gjithçka dhe tregoi se asgjë nuk është e sigurt, por gjithsesi katalanasit treguan karakter.
Pasi Slavia kaloi në epërsi, Fermin Lopez përmbysi rezultatin me dy gola në pjesën e parë, edhe pse Levandovski ngatërroi portën, duke shkaktuar autogol. Dani Olmo realizoi një gol kryevepër, dhe Levandovski kërkoi falje me rrjetën personale për suksesin 4-2.
Trajneri Hansi Flik vlerësoi futbollistët e tij për karakterin dhe premtoi se fitorja e Ligës së Kampionëve është e mundur dhe se mbetet objektiv i madh. “Reagim sipëror, – titullon “El Mundo Deportivo”, – Barça u pengua nga I ftohti dhe një nisje e keqe, për të arritur një triumf jetësor. Top 8 është në duart e saj!”
“Të mëdhenj, – është thirrja e të përditshmes tjetër nga Katalonja, “Sport”, – Barça e ka fare pranë kualifikimin për në tetë më të mirat në Champions!” “Blaugranët” janë në vendin e 9-të në renditje, dhe fitorja në Kopenhagen u jep kualifikimin direkt në raundin e dytë, si një nga tetë ekipet e para./abcnews.al


