Ishte ndoshta përballja më e rrezikshme. Barcelona vërtet konsiderohet gjerësisht si skuadra më e mirë e Spanjës, por gjithsesi, rivaliteti në La Liga mbetej i madh, dhe stadiumi “Uanda Metropolitano” I Atletikos është një kurth i vërtetë.
Një disfatë do të kishte bërë Realin “me krahë”, dhe do të kishte mbajtur në lojë edhe bardhekuqtë e trajnerit Diego Pablo Simeone, dhe u duk se ashtu po shkonte. Hulian Alvarez dhe Aleksandër Sorlot i dhanë epërsinë 2-0 vendasve, fillimisht në fund të pjesës së parë, dhe pastaj në minutën e 70-të.
Kohë kishte shumë pak, por për një skuadër si Barça edhe kaq mjafton. Për 6 minuta u arrit barazimi, dhe në sekondat shtesë u morën tri pikët. Përmbysjen e filloi mjeshtri Robert Levandovski në 72’ me të majtën perfekte.
Barazoi Ferran Torres në 78’, ndërsa avantazhi u arrit nga gjuajtja me fat e Laminë Jamalit. Ishte minuta e dytë shtesë, dhe me Atletikon e hedhur në sulm, katalanasit shënuan edhe të katërtin në 98’. Trajneri Hansi Flik nuk mund të ishte ndryshe përveçse krenar.
“Ne zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Pësuam dy gola sepse Atletiko është shumë e fortë edhe në sulm. Gjithsesi, ne kemi një mentalitet të shkëlqyer. Ne luftuam deri në fund. Ne treguam karakter për t’u admiruar nga ana e lojtarëve. Ishte një fitore e madhe, por çështja e titullit mbetet e hapur sepse ka shumë ndeshje për t’u luajtur”.
“Goditje ndaj Ligës, – shkruan e lumtur e përditshmja katalanase, “Sport”, – Barça nuk reshti së besuari dhe kulmoi me një përmbysje prej kampioni!”
“Goditje e Barçës, – është edhe titulli I “Markës” nga Madridi, – Laminë kulmon përmbysjen e blaugranëve në minutën e 92-të!”
Katalanasit kryesojnë kampionatin me 60 pikë, po aq sa Reali, por që ka luajtur një ndeshje më shumë.
Atletiko ka 56, gjithashtu me një duel më shumë të zhvilluar sesa favoritët “blaugrana”.