Interi zhgënjeu tifozët pas barazimit me Fiorentinën në “San Siro” për Serinë A. Skuadra zikaltër nuk e vazhdoi dot sfidën me Juventusin, por trajneri Konte nuk është i shqetësuar
Çdo gjë po shkon sipas variantit optimal dhe rivali kryesor që mbetej për titull u dorëzua. Interi nuk shkoi dot më larg se një barazim 0-0 në “San Siro” ndaj Fiorentinës, duke mbetur 7 pikë ndaj Juventusit, në vend që të ishte 5, dhe kampionët në fuqi mund ta fitojnë titullin e 9-të me një sukses sot në mbrëmje në fushën e Udinezes.
Edhe ambiciet e Antonio Kontes nuk mjaftuan si “katalizator” për këtë skuadër, ndonëse interistët goditën dy herë shtyllën. Gjithsesi, nuk fituan, siç nuk fituan dot as në fushën e Romës, në një barazim 2-2 pak ditë më parë.
Barazimi me Fiorentinën bëri që skuadra milaneze të mos e kapte dot vendin e dytë, e ndoshta do të jetë e detyruar të kënaqet me vendin e tretë. Gjithsesi, Konte, nuk duket se shqetësohet shumë nga kjo.
“Vendi i dytë ka pak vlerë, – u shpreh ai, – je thjesht i pari ndër humbësit. Nuk dua të komentoj atë që thonë të tjerët, ka që kënaqen që ne po ia dorëzojmë titullin Juves, siç thonë ata, por për mua kjo ka pak rëndësi. Më vjen keq vetëm që këtë vit korrëm më pak sesa mbollëm, duhet të forcojmë instinktin vrasës, ndryshe nuk mund të fitosh dot asgjë”.
Trajneri milanez bëri 4 ndryshime, duke hedhur në fushë D’Ambrozio, Godin, Eriksen e Lukaku, ndërsa uli në stol Shkriniarin, Bastonin, Brozoviçin e Lautaro Martinezin. Pjesa e parë ishte shumë e mirë për vendasit me 4-5 raste për gol, por pa shënuar, por duke kaluar minutat, ritmi erdhi duke rënë. Duket se zikaltërit po mendonin më shumë për ndonjë pushim, e për t’u përgatitur pastaj për Ligën e Europës. /abcnews.al



