Banorët e shtëpive të dëmtuara në protestë, Xhaferaj: Qeveria të gjejë zgjidhje, boll më me propagandë

schedule15:09 - 28 Dhjetor, 2019

schedule 15:09 - 28 Dhjetor, 2019

Dhjetra familje me banesa të dëmtuara në Durrës kanë mbetur jashtë edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga ajo ditë.

Të mbledhur në lagjen nr.17 të qytetit ata shprehen se kanë mbetur pa asnjë zgjidhje duke u sorollatur dyerve të institucioneve.

Irritimit të tyre i është bashkuar edhe Partia Demokratike e qytetit, ku krahas vënies para drejtësisë të personave që kanë dhënë lëjët apo kanë legalizuar banesat e shembuar, kryedemokrati Ferdinand Xhaferaj kërkoi nga qeveria që banorëve t’u jepet zgjidhje.

“Këtu jemi në lagjen 17 që është shumë e dëmtuar. Ka kaluar më shumë se një muaj dhe qeveria vijon me të njëjtin mekanizëm si këto shtatë vite. Thonë që po ngreënë struktura, janë thjesht propagandë dhe s’po japin zgjidhje.

Kemi dhjetra familje që banesa e tyrye, investimi i tyre i jetës është dëmtuar shumë rëndë. Kanë shkuar dhjetra herë në bashki dhe nuk kanë asnjë zgjidhje. Kryeministri tha dikur se zgjidhjen do ta japin kompanitë e ndërtimit, por me çfarë baze ligjore do të bëhet kjo? Diku ndërtuesi nuk është më, diku tjetër është zhdukur, diku ka vështirësi financiare. Si do të zgjidhet ky problem?”, u shpreh Xhaferaj duke thënë se deri më tani prokuroria është marrë me “cironkat” dhe jo përgjegjësit e vërtetë për lejet e ndërtimit dhe legalizimet pa kriter.

“Nuk jam këtu për të pyetur Ramën se përse e riktheu Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn apo pse nuk i jep ato 150 milion eurot e tërmetit se këtë e dinë mirë qytetarët e Durrësit. Kam dalur për ti thënë se çfarë duhet të bëjë me këto dhjetra e dhjetra familje që kanë investuar djersën aty”, vijoi ai duke theksuar se dikush nga qeveria duhet të dalë të thotë se si do të riparohen banesat e tyre, kur do të riparohen dhe kush do ti riparojë.

Një banor i zonës u shpreh ndërkohë se ka në Durrës është ndërtuar pa kriter në zona kënetore ku nuk lejohet kjo gjë.

“Nuk lejohet në Durrës 20 kate. Si ka mundësi? Këtu ka patur bretkosa, këta kanë bërë pallate 20 kate.

Unë këtu kam vrarë rosa dhe kam zënë peshq dikur këtu në kënetë, këta kanë bërë pallate nga 12 kate. I pari që duhet të arrestohet është Vangjush Dako që ka dhënë leje ndërtimi nga 12 kate”, shprehet banori. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!