Rreth 100 ha sipërfaqe pyjore në fshatin Plasë të Maliqit do të shfrytëzohet nga një subjekt i pajisur me leje minerare për nxjerrjen e hekur nikelit. Banorët kundërshtojnë kthimin e pyllit në zonë minerare, pasi sipas tyre kjo masakër mjedisore do të zhdukë kurorën e gjelbër të zonës dhe do të shterojë burimet natyrore.
Shfrytëzimi i nëntokës për nxjerrjen e hekur-nikelit në fshatin Plase të bashkisë Maliq, do tësjellë shpyllëzimin e masivit pyjor, që rrethon zonën.
Prej disa ditësh, subjekti, i pajisur me leje minerare, ka filluar prerjen e pishave mbi 50 vjeçare, për të përgatitur ndërtimin e infrastrukturës për nxjerrjen e mineralit. Në harkun kohor të dhjetë viteve, kontrata parashikon prerjen e 100 ha sipërfaqe pyjore. Siç shihet edhe nga videot e xhiruara nga banorët këta të fundit u kanë marrë punonjësve motorsharrat dhe kafshët e punës.
Për ta, zbatimi i projektit minerar, do të shkaktojë një masakër mjedisore, që do të zhdukë kurorën e gjelbër dhe ekosistemin.
Banorët kërkuan pezullimin e punimeve edhe pse kontrata detyron subjektin, të pyllëzojë një sipërfaqe prej 170 hektarësh me pishë dhe 28 ha kullota, për një periudhe dhjetë vjeçare. Sipërfaqja pyjore prej 100 hektaresh në fshatin Plase u hoq nga fondi i ekonomisë pyjore me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2017. Ky vendim i hapi rrugë Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës dhe asaj të Mjedisit, për të pajisur me leje minerare dhe mjedisore subjektin, që do të nxjerrë hekur-nikel në territorin ku shtrihen masivet pyjore të fshatit. /abcnews.al