Bankat, Rama kërkon dixhitalizimin/ Kryeministri kritik me privatët: Sa më shpejt ndryshoni sistemin

schedule11:20 - 1 Shkurt, 2024

schedule 11:20 - 1 Shkurt, 2024

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech, mbi nevojën e dizhitalizimit të shërbimeve financiare. Ai kërkoi dixhitalizimin e sistemit dhe uljen e parave cash në qarkullim, proces që sipas të cilit, duhet të udhëhiqet nga Banka Qendrore.

“Nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar. Nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës se si është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar, që vazhdon me një volum cash-i të papranueshëm në qarkullim, duke pasur ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë. Nuk mund të jemi një vend që kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pa suksesshme. Nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna tek shpejtësia, eficenca e transaksioneve që për ta thënë me një fjalë të vetme edhe pagesat direkte janë në të shumtën e rasteve me metoda tradicionale. Shqipëria duhet të fokusohet, dhe qeveria është shumë e fokusuar, por kjo nuk është vetëm një çështje e qeverisë tek inovacioni.

Dhe faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë që në janar të këtij viti, duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë aplikimi i protokolleve të Open Banking. Dhe Janari ishte një afat i përsëritur dhe i dhënë për herë të parë. Më kujtohet kur kemi bërë së bashku me Delinën bisedën me bankat e nivelit të dytë për sigurinë kibernetike, kur kemi folur për domosdoshmërinë e marrjes seriozisht të kërcënimit kibernetik dhe u desh të ndodhte që pastaj bankat të viheshin në lëvizje. Kemi një sistem bankar që virtytet pozitive të sistemit tradicional, tanimë nuk jemi më në listën gri dhe kemi të gjitha arsyet të kërkojmë me zë të lartë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide, që është sfidë e fortë e Shqipërisë. Shqipëria ka tre drejtime ku duhet të shkëlqejë në Evropë, jo vetëm në rajon: Turizmi, energji dhe inovacion. Tre drejtimet ku ne mund të rrisim ekonominë.

Nëse deri dje nuk e kishim bekimin e teknologjisë, sot jemi në një epokë të progresit eksponencial me një veprim X dhe në bazë të vendimi Y të bazuar tek teknologjia, një vend mund të bëjë një kapërcim 100 vjet brenda gjashtë muajsh. Bankat janë aty për të hapur dyert e zhvillimit, teknologjisë, Shqipërisë që të shkojë më përpara duke u kthyer nga një vend që ka përdorimin më të lartë të cash në ekonomi në një vend pa cash. Dhe kjo është plotësisht e mundur. Mendoj që është koha të merremi vesh shumë qartë për këtë, s’mund ta pranojmë më këtë situatë. Tek hyrja në treg e aktorëve të rinj që vijnë me zgjidhjet dixhitale ka edhe sfida, ka edhe një prishje të rehatisë së bankave. Kjo është diçka e paevitueshme. Mendoj që është koha të merremi vesh shumë qartë për këtë. S’mund ta pranojmë më këtë situatë, në një kohë kur teknologjia aq sa na jep mundësinë të përshpejtojmë progresin, aq na bën që çdo ditë që humbasim na lë shumë mbrapa. ”, tha Rama.

Rama kërkoi ndryshim të shpejtë në këtë proces.

“Bankat nuk janë kështjella të krijuara nga asgjëja, pjesa dërrmuese janë pjesë e ekselencës bankare evropiane. Këtu nuk flasim për struktura që nuk kanë dije të brendshme, që duhet t’i mësojnë gjërat nga e para, flasim për struktura që i kanë rrënjët jashtë bëjnë çudira në aspektin e këtyre gjërave që flas, e diversifikimit të instrumenteve të sistemit financiar, të inovacionit. Pse në Shqipëri nuk ndodh kjo gjë, shpresoj që ta kuptojmë se është çështje e një prioriteti kombëtar të qeverisë strategjike të Shqipërisë. Duam të shikojmë ndryshim të shpejtë, të thellë, real, jo pas disa vitesh por këtë vit. Pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja, të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, të shikojmë rënie reale të cash në qarkullim, rritje të transparencës së parasë dhe të ardhurave për vendin, dhe këtë duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe. Nuk mundet dot ta pranojmë inercinë e kësaj situate të tmerrshme. I kërkoj BSH që ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë.”, u shpreh kryeministri./abcnews.al