Me rastin e përvjetorit të 100-të të bankingut qendror shqiptar, Banka e Shqipërisë emetoi monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”.
Monedha simbolizon historinë, rëndësinë dhe trashëgiminë institucionale të Bankës Qendrore, duke përkujtuar një shekull zhvillimesh ekonomike dhe financiare në Shqipëri.
Në njërën anë të monedhës paraqitet logoja e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, e rrethuar nga data që shënojnë momentet historike të bankingut qendror shqiptar. Në anën tjetër, janë vendosur dy figura që lidhin fillimin dhe vazhdimësinë e historisë monetare të vendit: në të majtë, portreti i djalit me veshje popullore të Shqipërisë së Mesme, i njohur nga kartëmonedha e parë e vitit 1926, dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni, i paraqitur në kartëmonedhën moderne 10 000 lekë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e 100–vjetorit të Bankës së Shqipërisë tha se monedha përfaqëson respektin ndaj kujtesës historike të institucionit dhe vlerave që ai ka mishëruar gjatë një shekulli – pavarësinë, stabilitetin dhe besimin publik – duke shërbyer njëkohësisht si simbol frymëzimi për të ardhmen e bankingut qendror në vend.
“Monedha simbolizon rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë dhe përkujton ngjarjet kryesore që kanë shënuar zhvillimin e saj ndër vite.
Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa, në faqe, monedha paraqet logon e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe përreth ravijëzohen data historike për bankingun qendror shqiptar. Kjo vepër nderon kujtesën institucionale dhe frymëzon besim për të ardhmen.” tha Sejko.

