Banka Botërore parashikon rritje 3.6 përqind të ekonomisë shqiptare/ Teliti: Lajm pozitiv por jemi ende nën potencial

schedule21:09 - 6 Tetor, 2023

schedule 21:09 - 6 Tetor, 2023

Ekonomia shqiptare parashikohet që të ketë një ecuri më të lartë gjatë këtij viti duke lënë pas efektet negative të krizës së çmimeve. Banka Botërore ka publikuar projeksionet për vjeshtën duke e rishikuar rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2023, nga 2.8 për qind në 3.6 për qind.

Lidhur me këtë u diskutua mbrëmjen e së premtes në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News me gazetaren Genta Dobra. Eksperti për çështjet ekonomike pranë PD, Dorian Teliti, theksoi se ky është një lajm i mirë por duhet bërë një analizë e thelluar se nga vjen kjo rritje ekonomike.

Sipas tij, dy sektorët që kanë ndikuar janë ndërtimi dhe turizmi. Ky i fundit, sipas Telitit, pa pasur mbështetjen e sektorit të bujqësisë është vështirë të rritet dhe të bëhet cilësor.

“Lajm i mirë është që është rishikim në rritje. Është diçka pozitive. Po ajo që vlen të diskutohet janë komponentët përbërës dhe se nga vjen rritja ekonomike. Kjo shifër po ta marrësh edhe më tre mujorin e dytë që ka zyrtarizuar INSTAT, tregon që pjesa dërrmuese e kësaj rritje ekonomike vjen nga sektori i ndërtimit dhe më pas nga turizmi. Pra këta janë dy elementët kryesorë që kanë mbështetur rritjen ekonomike. Sektori i ndërtimit nuk ka një qëndrueshmëri. Në një moment të caktuar si në vitet e fundit, kemi pasur bum ndërtimesh.

Por do të vijë një moment që do të stopojë dhe duhet menduar se si duhet të ushqehet rritja ekonomike. Nëse marrim raportin e Bankës Botërore dhe INSTAT, sa i përket tremujorit të dytë për masën 3.2 përqind, 2.2 përqëind e kësaj rritje, vinte nga sektori i ndërtimit. Nëse do të kishim ndërtime sa viti i kaluar dhe aktivitete i pasurive të paluajtshme njësoj sa viti i kaluar, të gjithë sektorët e tjerë do të ishin me një rritje me vetëm 1 përqind. Do të doja që me të vërtetë të rritet sektori i turizmit por pa u mbështetur nga sektori i bujqësisë është vështirë të rritet dhe të bëhet cilësor. Sektori i turizmit i pambështetur nga sektori i aktiviteteve të energjisë elektrike, të infrastrukturës do të jetë vështirë që të zhvillohet.

Kur shohim të dhënat zyrtare të vetë shtetit shqiptar, kur thotë se hoteleria dhe tregtia janë rritur me 1.23 përqind nga viti i kaluar, kur njëkohësisht kemi po shifrat zyrtare të shtetit që thotë se kemi rritje galopante të turistëve. Fakti që ne kemi rritje shumë herë më të lartë të turistëve gjatë tremujorit të dytë, gjë e cila nuk përkon as me rritjen e sektorit të bujqësisë, as me rritjen e sektorit të hotelerisë dhe tregtisë. Prandaj ose do të kemi gabime në shifra të llogaritjes ose do të hyjmë tek shifrat e deklaruara të atyre që quhen apo jo turistë.

Po ta shikojmë në nivel akoma më makro, potenciali i ekonomisë shqiptare, e studiuar edhe nga profesorë ndërkombëtarë është diku tek 7-8 për qind, fakti që ne akoma vazhdojmë në 2023 dhe diskutojmë për norma rritjeje 3 apo 4 për qind, do të themi se jemi shumë nën potencial. Dmth që burimet tona të brendshme nuk po i shfrytëzojmë siç duhet dhe kemi ende shumë rrugë për të bërë për të kapur ritmin e vendeve të tjera.”, u shpreh Teliti./abcnews.al